“U plotësua dëshira e të gjithëve”, por zonja Tefta “nuk heq dorë” nga recetat për mbesën
Sipërmarrësja dhe themeluesja e agjencisë “Grace Models Albania”, Greiss Petroviç, është bërë nënë për herë të parë në fillim të korrikut dhe tani që vajza Emel i ka kaluar dy muajt e parë të jetës, Greis, me gjithë përkushtimin, dalëngadalë po i rikthehet ritmit të saj të jetës. Megjithëse “profesioni” i saj i parë tashmë është mëmësia, në plan të dytë përpiqet t’i bëjë edhe punët e tjera nga pak.

Megjithëse e ka kaluar të gjithë këtë periudhë të paslindjes e rezervuar nga mediat dhe publikimet online, si të gjitha nënat e reja, edhe Greis ka përjetuar disa faza jo të lehta.
E ftuar pasditen e sotme në “Ftesë në 5”, Greis ndau me publikun emocionin e takimit të parë me të bijën, dëshirën e realizuar të të gjithë familjes, si edhe “recetat” e vjehrrës së saj, zonjës Tefta, e cila, si një gjyshe e kujdesshme, ka shumë merak për mbesën e vogël.

Pasi rrëfen frikën, si të gjitha nënat e reja, Greis tregon se, fillimisht, dëshironte që të bënte lindje normale, por meqenëse nuk ishte në kushtet optimale, u bë e mundur lindja me operacion: “E kujtoj çdo moment, e kam të fotografuar. Shumë e bukur, me shumë emocion…” – tregon modelja.
Po zonja Tefta, ajo që mezi e priste të bëhej gjyshe? “U realizuan të gjitha dëshirat, edhe dëshira e Teftës, dëshira ime që ishte vajzë, edhe e Ilirit…” – shton Greis më tej, e lumtur që Emel ishte një fëmijë i mezipritur nga e gjithë familja.
Nëse zakonisht nënat e reja e kanë të vështirë t’i pranojnë këshillat për fëmijët e tyre, Greis nuk është kështu. Ajo thotë se i pranon këshillat nga të gjithë: “Po, i pranoj. Unë jam njeri shumë i qetë në përgjithësi dhe i pranoj këshillat nga të gjithë.”

Po çfarë i thotë më shpesh zonja Tefta? “Këshilla pa fund për Emelin, sa herë dal nga shtëpia, sidomos kur jam vetëm: “Greisi, mos harro këtë, Greisi, mos harro këtë…” – thotë me të qeshur modelja.

Si gjyshet meraklie që nipërit dhe mbesat i kanë pikë të dobët. Greis është me fat që ka një vjehrrë si zonja Tefta, ashtu sikurse edhe Emel, që këtë pjesë do ta kuptojë më vonë. Të paktën, për ushqimin e shëndetshëm, tryeza në shtëpinë e tyre do të jetë e shtruar gjithmonë.