Urimi prekës dhe plot humor i Agron Llakajt për të bijën
Agron Llakaj është një ndër personazhet më të dashur për publikun shqiptar. Ai nuk është vetëm një nga aktorët më të suksesshëm në Shqipëri, por edhe një kryefamiljar i përkushtuar dhe i afërt me fëmijët. Ditën e sotme, vajza e tij Alkida feston ditëlindjen. Ndryshe nga të tjerët, Agroni ka zgjedhur një mënyrë të veçantë për t’i thënë disa fjalë së bijës. “Alkida ime! Bija ime… më njoftoi Facebook se sot ti ke ditëlindjen, e çuditshme. Të kam fëmijën tim por edhe friend në Facebook. Si erdhën kohërat, edhe pse të kam ngjitur në krah duhet patjetër të të uroj nga celulari. Ja kshtu siç jemi mbledhur të gjithë bashkë, të gjithë me kokën ulur mbi Iphone, të gjithë të urojmë ty, secili më vete. Unë nuk di si po të uron yt shoq apo jot bijë. S’di si po të uron yt vëlla apo kunata jote. As që e mendoj se si po të uron mami se ja ku po ta them por mos ma nxirr fjalën. Mami ka qarë kur u linde ti! Unë u gëzova se ti u bëre motiv i jetës sime dhe tonës! Mos ta zgjas se po zgjat kokën mami nga celi im (çështje vesi). Edhe 100 zemër e babit. Të them si atëherë kur ishe 1 vit. Të dua sa qielli e sa toka!
P.s.: Do më mbetet qejfi po s’më bëre “like”!”,- shkruan aktori i njohur në Facebook. Mes urimit të tij ka shumë të vërteta të kohës së sotme dhe afeksionit të njerëzve ndaj rrjeteve sociale. Megjithatë, Agroni i ka thënë fjalët më të bukura Alkidës, që e do sa toka dhe qielli!