Ushqimi i fëmijës shëndetshëm gjatë mesditës, çfarë duhet të përmbajë në dietën e tij
Fëmija ka kapacitet të vogël në stomak dhe mbushja e tij me ushqim tre herë në ditë nuk mund t’i japë energjinë e duhur për rritjen dhe lëvizjet e tij. Prandaj ka rëndësi dhënia e vakteve të ndërmjetme, që quhen “vakte zemër”. Këto vakte të ndërmjetme janë të rëndësishme për fëmijën, por ne nuk duhet të harrojmë që edhe ushqimet që jepen në kohën e vakteve të plota, janë gjithashtu me rëndësi.
Ju duhet harxhoni pak kohë për të menduar se çfarë t’i jepni fëmijës për vaktet zemër. Edhe në këto vakte të ndërmjetme ushqyerje, duhet të jepen ushqime nga të gjitha grupet ushqimore:
Buka, drithërat, sanduicët
Përgatisni në shtëpi sanduiçë të ndryshëm, duke i mbushur me ushqime të ndryshme, për shembull me djathë, vezë të zier, domate, proshutë etj. Gjatë kohës që përgatisni sanduiçët, afroni fëmijë pranë jush, që t`ju ndihmojë dhe më pas mund ta lejoni ta përgatisë vetë. Buka e thekur, keku i bërë në shtëpi, biskotat, gjithashtu janë një alternativë e mirë, pasi pëlqehen shumë nga fëmijët.
Makaronat
Në përgjithësi, fëmijët në këtë moshë i pëlqejnë makaronat. I përgatisni bashkë me ta. Kujdes me salcat e gatshme që përdorni, sepse mund të jenë shumë të kripura.
Frutat dhe perimet
Frutat dhe perimet janë shumë të mira për ushqyerjen gjatë vakteve të ndërmjetme. Frutat mund të jepen të prera në copa, ose të përziera me kos. Zarzavatet gjithashtu mund të jepen të gjalla ose të ziera. Frutat e thata, si për shembull kumbullat, kajsitë etj, kanë një sasi të madhe sheqeri dhe mund të shkaktojnë prishjen e dhëmbëve. Në rast se fëmija juaj i dëshiron shumë, mund t`ja jepni herë pas here në sasi të vogla së bashku me ushqime të tjera, si për shembull pas ngrënies së sanduiçit, për të pakësuar pasojat negative tek dhëmbët.
Qumështi dhe prodhimet e tij
Qumështi, për vlerat që ka është ushqim shumë i mirë për fëmijën. Jepeni në vaktet zemër, me fruta ose sanduiç. Deri në moshën 2 vjeçare qumështi mund të jepet i skremuar. Më pas duhet të jepet i skremuar, me përqindje më të pakët yndyre. Kosi dhe bulmeti si për shembull djathi, janë gjithashtu ushqime të mira për vaktet e ndërmjetme.
Lëngjet
Gjatë kohës se ngrënies, gjithmonë jepini fëmijës një lëng që të shoqërojë ushqimin. Uji është pija më e mirë. Po kështu edhe qumështi është një pije e mirë.
Fëmijët duhet të mësojnë të pijnë ujin që në moshë të vogël. Ju si prindër duhet të jeni një shembull i mirë për këtë. Tregojuni fëmijëve se si pini ujë. Lëngjet e frutave duhet të jenë të holluara dhe mos të kenë përmbajtje të lartë sheqeri. Shikoni me kujdes marrjen e qumështit dhe lëngjeve të frutave për fëmijët nazeli. Qumështi është ushqim shumë i mirë, por marrja e tepërt e tij mund të presë oreksin për ushqime të tjera.