Vajza e Mirush Kabashit: E donte skenën deri në fund, la pas pasuri të madhe!
Këtë të mërkurë po mbahen homazhet në nder të aktorit të njohur Mirush Kabashi i cili u nda nga jeta dje në moshën 75-vjeçare.
Vajza e tij, Mendi Kabashi ka treguar se aktori e donte shumë artin dhe ishte i përkushtuar në skenë për publikun.
“E donte shumë jetën. Deri në fund e deshti shumë. Publikun e donte me gjithë zemër. I vlerësonte shumë njerëzit dhe iu dha 100% artit. Madje kishim dhe debate për këtë. Sidomos pas sëmundjes për 5 vite që e luftoi shumë fort, vijonte të dilte në skenë.
Mirushi nuk ka dashur kurrë të bëhet bajat. Përzgjidhte skenat ku do të intepretonte me parimet e vlerat e tij. Një njeri që do na mungojë të gjithëve, na ka lënë pasuri të madhe. Mirushi nuk ishte i kafeneve as i lokaleve. Ishte me Lolën (bashkëshorten) përkrah duke bërë ecje. Qeshte me sy e fliste me zemër. Mësonte dhe na mësonte. Ishte i hapur për biseda. Unë e kam pasur shumë shok e baba. Do më mungojnë pafundësisht bisedat e tij”, ka deklaruar vajza e tij./