Vajza falenderon babain për sakrificat, i sjell në studio artistët e tij të preferuar

Dashuria dhe mirënjohja e vajzës për babain ishte historia e fundit e puntatës së tretë të programit “Dua të të bëj të lumtur”… Alma, vajza nga Shkodra kishte ftuar babain e saj Sadedinin. Ai kishte sakrifikuar gjithçka për të ardhmen e fëmijëve të tij.

Kishte lënë pas qytetin e tij të dashur, Shkodrën, shtëpinë e tij dhe shumë kujtime për të ardhur në Tiranë. Ai shpresonte që në Tiranë së bashku me bashkëshorten e tij do të siguronin më shumë të ardhura për të shkolluar fëmijët jashtë vendit. Sadedini ishte mësues i gjuhës gjermane, ndërsa gruaja e tij kishte hapur një farmaci.

Në këtë mënyrë ata kishin siguruar paratë që i nevojiteshin për të shkolluar Almën në Vjenë. Atje ajo ishte përballur me një qytet të huaj të cilin e kishte vizituar disa herë me babain e saj. Largësia nga familja dhe qëndrimi në një qytet ku nuk njihte asnjë e kishin çuar Almën drejt depresionit.

Pas disa vitesh ajo ishte kthyer në Shqipëri, ku ishte kuruar nga depresioni. Mbështetja dhe kurajoja e madhe që i kishte dhënë babai, kishin qenë faktorët kryesorë që Alma të rigjente vetveten.

Për t’i shprehur mirënjohjen për gjithçka që babai kishte bërë për të, ajo kishte zgjedhur programin “Dua të të bëj të lumtur”. Alma i kërkoi Sadedinit që të shikonte jetën e tij dhe që të mos shqetësohej më për të pasi ajo tashmë është rritur. Surpriza që Arbana kishte përgatitur për Sadedinin ishte prania e në studio e disa prej ikonave të artit shkodran.

Duke risjellë edhe një herë atmosferën e mbrëmjeve të fundvitit me “Sofrën Shkodrane”, në tavolina ishin ulur familja e tij, por nuk kishin si të mungonin aktorët e dashur të humorit shkodran. Të ftuar ishin mjeshtrit Zef Deda, Gëzim Kruja, Drane Xhai dhe Edmond Halili.

Në momentin që Sadedini hapi sytë nga shkallët zbriti duke kënduar këngëtarja e famshme shkodrane, Mukades Çanga. Më pas aktorët e humorit performuan disa skeçe që shkaktuan të qeshura tek publiku. Gjithashtu një performancë tepër të bukur dhuroi aktori Zef Deda me rolin e “Charlie Chaplin”.

Sofrës iu bashkua dhe bilbili i muzikës shkodrane, këngëtari i dashur për publikun, Bujar Qamili. Për herë të parë në një ekran, Alma i kërkoi Sadedinit që të kërcenin së bashku. Në këtë moment në studio erdhi artistja e dashur Rosela Gjylbegu e cila këndoi një duet me Bujar Qamilin. Emocionet, muzika dhe humori mbyllën puntatën e tretë të programit “Dua të të bëj të lumtur”.

Share With:
Translate »
828 Views