Vajza merr lulet e fundit nga babai i vdekur

Ditëlindja e 21 -të e Bailey Sellers është e mbushur me trishtim, pasi ajo mori buqetën e fundit me lule nga babai i saj i vdekur. Ai kishte parapaguar për lulet që t’i shkonin të bijës çdo vit, derisa vdiq nga kanceri, kur ajo ishte vetëm 16 vjeç. Përgjatë 5 viteve të fundit Bailey ka marrë një buqetë me lule për ditëlindje me një dedikim nga babai i saj i ndjerë. Në mesazhin e këtij viti, ai shkruante: “Do të vijoj të jem me ty në çdo hap, vetëm shiko rreth e rrotull dhe unë do të jem aty”. Në një postim në Twitter, Bailey, e cila është nga Knoxville, Amerikë, shpjegoi se çfarë kishte bërë babai i saj i mrekullueshëm, duke shtuar: “Më mungon kaq shumë babi”. Ajo postoi foto të mesazhit të tij, lulet dhe një foto kur kishte qenë e vogël. Në mesazhin e tij, i ati shkruante: “Kjo është letra ime e fundit e dashurisë për ty, derisa të takohemi sërish. Nuk dua që të qash për mua e vogla ime, sepse ndodhem në një vend më të mirë.”. Siç shkruan BBC, mesazhet e ngrohta dhe mbështetëse për postimin e të resë, ishin të panumërta.

 

Share With:
Translate »
1065 Views