Vajzat e ish-Miss Albania-s nuk kishte si të mos i ngjanin mamit

Ajo është shpallur Miss Albania në vitin 2000, kur nuk ishte as 20 vjeç. Është ende shumë e re, megjithatë nisja e një marrëdhënieje herët dhe lindja e dy vajzave e kanë bërë sot nënë të një adoleshenteje dhe një vajze tjetër që shpejt do të shkojë në gjimnaz.

Gentiana Ramadani, e ftuar sot në Pasdite në Top Channel, ndodhet në Tiranë për festat e fundvitit, pasi prej katër vitesh jeton në Vienë ku po kryen doktoraturën, bashkë me të bijat, Gedin dhe Sarën, të cilat janë dy vajza të rritura tashmë dhe shumë simpatike.

Gedi është plot 15 vjet dhe veç bukurisë që e vëmë re dhe në studio, ka arritur dhe gjatësinë e së ëmës, çka e kuptuam gjatë një inserti të realizuar në sheshin Skëndërbej.

Ato janë shumë të lumtura që po i kalojnë këto festa, siç bëjnë çdo vit, në Tiranë, ku së pari takojnë të atin, gazetarin e njohur Edi Lesi, por dhe të afërmit apo shoqërinë që kanë arritur të ruajnë.

Gentiana e cila ka studiuar fillimisht Gazetari e më pas është diplomuar në Fakultetin e Shkencave Sociale, aktualisht po kryen studimet për Doktoraturë në Universitetin Shtetëror të Vienës në Fakultetin e Publicistikës dhe Komunikimit. Ajo ka treguar që tema e studimit është “Televizionet publike në Evropë”, të cilat sipas Gentës janë ndër të vetmet institucione që i japin formë një shoqërie dhe mendon që risitë në këtë fushë mendon t’i implementojë në Shqipëri në të ardhmen.

E vetme me të bijat në Vjenë, ndërsa vazhdon një marrëdhënie të shëndoshë në distancë me bashkëshortin, Gentiana ka thënë që nuk është e thjeshtë të kujdeset për vajzat, duke menduar që Gedi ishte vetëm 11 vjeç kur u larguan, ndërsa tani është një adoleshente. “Është e rreptë”, kanë thënë ato me sinqeritet, ndërsa gjatë bisedës është zbuluar që orari i kthimit në shtëpi të Gedit është një nga arsyet e konflikteve të shpeshta.

“Në Vienë, të rinjtë kanë si orar zyrtar të kthimit në shtëpi orën 10.00 të mbrëmjes. Për mua është vonë ai orar dhe këtu nis konflikti”. Megjithatë duke sjellë në mendje rininë e saj të hershme dhe duke u këshilluar me Edin, arrin dhe ajo të bëhet më tolerante.

Gentiana ka treguar që kjo sakrificë e të jetuarit larg me bashkëshortin po bëhet dhe për të mirën e vajzave të cilat po shkollohen në Vjenë dhe shumë shpejt Gedi do të studiojë në një universitet të mirë atje, ndërsa Sara do të hyjë në gjimnaz. Atëherë, familja do të vendosë të bashkohet, ose do të shkojë Edi në Austri, ose Genta do të kthehet në Shqipëri.

 

Share With:
Translate »
1107 Views