Vajzat flasin më shpejt se djemtë, mit apo e vërtet? Logopedia zbulon përgjigjen
Logopedia Aurora Lushej Koka ishte e ftuar këtë të mërkurë në emisionin “Rudina” në Tv Klan për të folur për zhvillimin gjuhësor te fëmijët. Ajo ka treguar se si ndikon te fëmijët një gjuhë e dytë e mësuar krahas asaj amtare dhe metodën më të mirë për ta realizuar këtë.
Logopedia thotë se duhet të jemi të kujdesshëm se si ata krijojnë qasjen në gjuhë të dytë dhe se kjo nuk duhet të vijë vetëm nga ekranet ku fëmijët shohin filma vizatimor apo lojëra, sipas saj mësimi i një gjuhë duhet të jetë interaktiv.
Gjithashtu Aurora na ka zbuluar se ka një ndryshim mes zhvillimit të folurit te fëmijët e seksit mashkull dhe atyre të seksit femër. Sipas saj vajzat janë të prirura të flasin më herët se djemtë.
Rudina Magjistari: Ekziston një mit që nuk e di në është e vërtetë apo jo, që djemtë fillojnë e flasin më vonë se vajzat. Është e vërtetë kjo?
Aurora Lushej Koka Kjo është e vërtetuar në bazë të disa studimeve, por duhet ta shpjegojmë se si qëndron kuptimi i kësaj. Në qoftë se marrim normat e një moshe të caktuar. Pra normat e zhvillimit gjuhësor te një fëmijë 2-vjeçar është pjesa e limitit të poshtëm dhe limitit të sipërm që është nga 50 fjalë në 300 fjalë. Djemtë janë pranë limitit të poshtëm, dinë më pak fjalë por qëndrojnë brenda moshës së tyre, pra është një vonesë brena limitit moshor.
Rudina Magjistari: Sigurisht nuk është shqetësuese, por vajzat…
Aurora Lushej Koka Vajzat kanë një zhvillim më të shpejtë, kjo është e vërtetuar.
Rudina Magjistari: Kështu që qenka mit i vërtet.