Vargjet e një nëne shkrimtare që ka humbur djalin… Flutura Açka na drithëroi

Shkrimtarja Flutura Açka ditën e djeshme është kthyer në Tiranë për të pritur miq e dashamirës që i kanë shprehur ngushëllimet për humbjen e djalit të saj në lule të rinisë, një muaj më parë.
Sakaq, shkrimtarja ka publikuar disa vargje të cilat ia dedikon të birit të ndjerë bashkë me këtë foto të tij me diellin mbi krye.
“Roja i dritës
Ti kishe kaq qiell brenda teje,
sa dhe dielli bante ndejë n’tandin sy,
e drita xhelozohej kur fikej mramjeve,
horizontit ankohej,
se s’mundej me të ngja ty.
Kurdisur n’buzëqeshje
kraharori yt ende jep gurgullimë,
andrrës dhe zhgjandrrës të çajë thurjen e pezmët
të trishtimit tonë, mësyn.
Është larg, n’rini të përjetshme,
mbretërinë e Askundit lyen me bojë njeriu,
i pakorruptueshmi shpirt,
i papërlyemi kurm,
e pavramja ndjenjë,
xeherore qe s’e prek kush thellimave,
ekzistencë diku, gega im,
“the terrible beauty”* në më t’gjatin mërgim.
Ti dashuria që ecje,
ti buzëqeshja baretëse,
ti i thikti rrezatim mirësie,
kushedi në ç’mors lexon tani,
vajin tonë që lutet për kthim.
Ti roja i dritës,
përgjon errëtitë që aviten të na nxijnë,
të na derdhin mjerim.
Tani shkel në dhera të pastra,
e ëndrrash të qashtra shtigjesh nget,
ti nezra e përjetshme,
nuk fikesh si kandil,
as flakë qiriri topitur erës,
shembëllim i largët i një ylli kushediku,
tatuazh i shpirtit mbet…
“The terrible beauty” (bukuri mizore), varg i John Keats”

Share With:
Translate »
746 Views