Veliaj: Në Shtator merr fund mësimi me dy turne, ja ku do të hapim 12 shkolla të reja

Ndërtimi i shkollës “17 Shkurti” në Qesarakë të Tiranës po ecën me ritme të shpejta. Kjo shkollë do të mirëpresë 600 nxënës dhe do t’i japë fund mësimit me dy turne. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili inspektoi punimet, tha se pas dëmtimit që mori me tërmetin e 2019, shkolla e re po ngrihet më e fortë e më cilësore.

E kemi rritur me 20% kapacitetin e shkollës. Në godinën e vjetër, 500 nxënësit e bënin mësimin me dy turne, kurse në shkollën e re mësimi do të jetë me një turn për 600 nxënës. Është një super lajm për zonën e Freskut, e Thesarit, Qesarakës, Linzës, por edhe për Njësinë 3. I lutem prindërve që t’i regjistrojnë fëmijët në shkollën më të afërt me banesën e tyre sepse kështu i kursejnë orët e humbura fëmijëve, të cilët gjatë asaj kohe mund të ndjekin një kurs, mund të merren me sport apo të mësojnë një instrument”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku Veliaj shtoi se me hapjen e 12 shkollave të reja në Shtator, plotësohet “buqeta” e 40 shkollave të hapura në dy mandate të tij në krye të Bashkisë së Tiranës.

Në Shtator do të hapim shkollë të re në Dritas, në periferinë më ekstreme të Tiranës, por do të hapim shkolla të reja edhe në qendër, si gjimnazi “Sami Frashëri” apo në portat hyrëse të qyteti, si shkolla “Andrea Stefani” te Shqiponja, shkollat “Kennedy” dhe “Nënë Tereza” në Kodër Kamzë, dhe “Bashkim Fino” në Njësinë 2. Me buqetën prej 12 shkollash të reja, që hapim në shtator, i kemi dhënë Tiranës 40 shkolla të reja në dy mandate – diçka e paprecedentë krahasuar me mandatin e administratës paraardhëse, ku ku nuk u bë asnjë shkollë. Secila prej shkollave të reja ka një palestër të hapur edhe për komunitetin. Jemi siguruar që të bëjmë shkolla jo sot për sot, jo për të zgjidhur hallet e momentit, por për të bërë shkollat e një shekulli të ri”, tha ai.

Ndërkaq, Veliaj njoftoi daljen e një urdhri të ri për sa i përket lëvizjes së mjeteve të tonazhit të rëndë në qytet gjatë dy muajve të verës.

Duke nisur nga kjo e premte, në orën 18:00, deri të hënën, në orën 07:00 të mëngjesit, lëvizja e mjeteve të tonazhit të rëndë do të lejohet, teksa në Shtator, me fillimin e vitit shkollor dhe kur qytetarët të kthehen nga pushimet, do të rikthehet kufizimi i lëvizjes së tyre.

“Vera është një kohë ideale për të punuar sepse ka më pak trafik dhe njerëzit janë me pushime. Kjo është arsyeja pse çdo të premte deri të hënën, do të lejojmë lëvizjen e mjeteve të tonazhit të rëndë që të mbarojnë kantieret, si kjo shkollë. Duke qenë se midis të premtes deri të hënën, njerëzit e kalojnë fundjavën në plazh, trafiku lirohet pak, na jep mundësi të vijojmë punën me mjetet e rënda. Kërkoj mirëkuptim nga qytetarët sepse na duhet të kapim shtatorin për shkollat. Për sa kohë që fluksi bie dhe fëmijët nuk kanë shkollë, është mundësia të mbarojmë shkollat në afat. Kjo është arsyeja pse kam firmosur urdhrin, që gjatë fundjavës, të kemi mundësi të punojmë me mjete të rënda. Në shtator, me rikthimin e normalitetit dhe hapjen e shkollave, lëvizja e mjeteve do të ndalohet sërish. Besoj se kështu mund ta kapim ritmin e ditëve, duke punuar në fundjavë, që të dalim të gjithë faqebardhë në shtator me shkollat”, përfundoi Veliaj.

Share With:
Translate »
126 Views