Vendimi për t’u bërë nënë dhe pyetjet e të birit për të atin, rrëfehet Anila Basha
Gazetarja e njohur Anila Basha ka bërë një rrëfim ndryshe për jetën e saj në podkast me Mira Kazhanin. Nga nisja e karrierës, sfidat e profesionit, jeta familjare e deri te vendimi për t’u bërë nënë, Anila ka folur hapur duke treguar më shumë detaje.
Pjesë nga intervista:
Si e more vendimin për Arisin, për t’u bërë nënë?
Anila: Ndërkohë që ne vraponim të kapnim lajmet, kishim harruar se koha ikte. Unë nuk e kisha imagjinuar ndonjëherë veten nuse me vellon e bardhë. Unë që kërceja aty dhe që më këndohej ajo kënga e dashurisë.
Jo se nuk e kam dashur, por nuk e kam imagjinuar dhe nuk ka ardhur. Ama ajo pjesa e të qenurit nënë, kur i jep gjoks fëmijës, ajo dashuria dhe empatia që kam parë shumë nëna ta bënin kudo, i shihja me një lloj adhurimi. Pastaj kur e kam provuar vetë ishte një gjë e mrekullueshme.
Arisi erdhi në jetë 1 vit e gjysmë pas vdekjes së tim eti. Ai i mbylli sytë me pengun se ‘si nuk u rregullua Anila’, por unë ja kisha premtuar që sido të shkonin punët një fëmijë do ta kisha. Dhe u bëra nënë, bebi ishte djalë dhe i vura emrin e babait, Aristotel. Arisi sot është 4 vjeç e gjysmë.
Si do t’i përgjigjesh Arisit kur të të pyesi për babin?
Anila: Për momentin është i vogël nuk e kupton, por pa dyshim do të vij dita kur ai të pyesë, sepse do shohi fëmijët që vijnë i marrin baballarët. Do jetë diçka e natyrshme që ai do të jetë edhe më i rritur dhe do e kuptoj më mirë. Për momentin atij nuk i mungon figura mashkullore, sepse ka dajën e vet që e do shumë dhe në verë pushimet i kaluam tek motra ime dhe djemtë e saj janë të rritur që e mbajnë dhe e çojnë kudo.
Çfarë mendon se ka marrë nga ty?
Anila: Tipin, për fizik nuk mendoj se më ngjan shumë, sepse është biond dhe i gjatë, por mendoj se tipin e ka komplet si unë. Është shumë çapkën.