Vera Ora ndodhet në Shqipëri në “FemFest” dhe Rita nuk mund të ishte më krenare se kaq

“FemFest” është një festival për sensibilizimin e qytetarëve për të drejtën e grave dhe vajzave, për të qenë të barabarta në çdo sferë të jetës.

Ky festival është ndërtuar me një platformë shfaqjesh mbresëlënëse, debatesh, këngë, muzikë, ekspozitë, sfilata dhe një protestë këpucësh të kuqe.

Ai vjen me synimin për sensibilizimin e grave dhe për të ndryshuar edhe realitete të trishta në jetën e tyre.

Pjesë e festivalit që nisi mbrëmjen e djeshme dhe do të vijojë deri në 8 Mars do të jenë artiste, aktiviste, shkrimtare, politikane dhe këngëtare të cilat nëpërmjet zhanreve të ndryshme të artit do t’u japin zë edhe problemeve që nuk fliten, apo atyre që nuk dëgjohen. Të ardhurat e mbledhura nga biletat do të shkojnë për 5 bursa studimi për studentet më të mira të Universitetit të Arteve.

 

Nëna e Rita Orës, Vera ka qenë e ftuar nderi në festivalin “FemFest” që u mbajt ditën e djeshme në Tiranë.

Vera, e cila me profesion është psikologe dhe këshilluese e shëndetit mendor, mbajti një fjalim para të pranishmëve në festival.

 

Kjo paraqitje e ka bërë krenare vajzën e saj, këngëtaren shqiptare me famë botërore, Ritën, e cila ndau disa fotografi të së ëmës në profilin e saj në “Instagram”.

“Krenare me nënën time Vera Ora, që po jep kontributin dhe po mbështet “FemFest” një festival për të drejtat e grave në Shqipëri, inspirimi im tani dhe përgjithmonë”, ka shkruar Rita në mbishkrimin e fotografive.

Informacion:

KËPUCËT E KUQE, është fushatë  kundër dhunës së grave në familje e shoqëri. E nisur në Meksikë nga arkitektja Elina Chauvet si reagim ndaj vrasjes së motrës nga bashkëshorti, (vetëm me 33 palë këpucë), që prej vitit 2009, Këpucët e kuqe  mbush sheshet e qyteteve të mëdha në botë, ku  tashmë me qindra këpucë të ndryshme grash, të kuqe ose të lyera me të kuqe,  vijnë si simbol i gjakut të derdhur të grave/vajzave, po ashtu edhe si simbol dashurie e kujtese për gratë që nuk jetojnë më.

Bëhu  pjesë e fushatës sensibilizuese kundër dhunës ndaj gruas.

Shoqata Bash-Art në bashkëpunim me Shoqatën ” Eja në teatër” sjellin këtë vit këtë formë proteste në Tiranë dhe në Durrës.

Me datën 8 mars , këpucët që ju do të sillni do të vendosen në pikat në  pikat kryesore në qytetet e mësipërme, ku do të qëndrojnë gjithë ditën e kush dëshiron mund të sjellë një degëz mimoze a lule.

Shpërndaje këtë mesazh tek të gjithë mikeshat e tua. Të gjitha bashkë, me gjeste të vogla,mund të bëjmë shumë për ta ndaluar dhunën!

Share With:
Translate »
220 Views