Videoja me babanë dhe mamanë e tij duke kënduar përlot Erik Lloshin
I ftuari i dytë në programin “Dola te Ola” këtë të diel ishte këngëtari i njohur Erik Lloshi, ku ndër të tjera foli për marrëdhënien që ai ka me prindërit e tij.
Eriku fëmijërinë e tij e ka kaluar në qytetin e Lushnjës dhe në program rrëfeu se e ka shijuar pafund atë periudhë. Ai tregoi se është rritur mes muzikës. Të dy prindërit e kanë mbështetur në mënyra të ndryshme, nëna duke pëlqyer atë çka Eriku bënte, ndërkohë babai e kritikonte duke i thënë se duhet ta bënte më mirë.
Këngëtari tha se kur ishte i vogël nuk e kuptonte këshillën e të atit, ndërsa sot që është rritur dhe është pjesë e tregut muzikor e kupton më së miri.
Gjatë programit u shfaq një video ku Eriku këndon së bashku me babanë e tij, për të cilin ai tha se është hera e parë që shfaqet në një ekran televiziv, ndaj emocionet për të ishin të mëdha.
Teksa u shfaq edhe një tjetër video ku këngëtari këndonte me të dy prindërit ai u përlot dhe e cilësoi veten me fat. Eriku ndau edhe një moment prekës me të ëmën, e cila sikurse ai tha e pret zgjuar sa herë ai vonohet për shkak të punës. “Jo 17 vite, por 40 të tjera të kalojnë do të pres”, ishte përgjigjur e ëma rreth 2 vite më parë, kur këngëtari i kishte kërkuar të mos rrinte më zgjuar për të.
Ndërkohë Eriku ka një marrëdhënie shumë të mirë edhe me të motrën që jeton në Kanada, të cilën e përshëndeti me këngën që interpretoi në studio “Si dukem unë pa ty”.