Xhisiela ndryshon dëshminë për herë të tretë, fajëson sërisht djalin e deputetit
Ditën e hënë në dy intervista të ndryshme, në Klan dhe në Top Channel, 25 vjeçarja Xhisiela Maloku u përpoq ta mbrojë sa të mundej ish të dashurin e saj Rexhep Rraja duke e shfajësuar nga të gjitha akuzat që i kishte bërë për dhunë dhe përndjekje.
Pavarësisht sa u mundua, Xhisiela u duk se ishte në një mision të pamundur, për të bindur se dhuna e deklaruar në kallëzim nuk kishte ndodhur dhe se faji kishte qenë i vetë asaj, që nuk kishte rezistuar dot një xhelozie të sëmurë për ish të dashurin, Rexhepin.

Në themel të alibisë së Xhisielës, ishte pikërisht xhelozia. Ishte prej xhelozisë, që ajo kishte bërë denoncimin në komisariatin Nr.3 në Tiranë ku kishte shpikur të gjitha detajet e dhunës nga djali i deputetit.
Ishte për shkak të xhelozisë që Xhisiela ishte rikthyer në SHÇBA-në e Durrësit për të kërkuar depozitimin edhe njëherë të kallëzimit, të cilin e kishte tërhequr më parë.
Në të dyja rastet tha Xhisiela, “Rexhepi kishte ikur me pushime me atë që ajo nuk donte”.
Por në një lidhje live në Instagram, ku i përgjigjej ndjekësve të saj, Xhisiela Maloku foli ndryshe. E lodhur nga alibitë, nga gënjeshtrat, ndoshta edhe në një moment shpengimi, 25 vjeçaraja iu rikthye versionit të parë, atij të kallëzimit në polici, sipas të cilit burimi i konfliktit dhe dhunës, nuk ishte xhelozia e saj, por e Rexhepit.
“Jam bërë xheloze se Rexhepi ka një tjetër, por nuk më la mua të gjej një tjetër. Realisht ky ka qenë problemi im me Rexhepin” u shpreh Xhisiela duke rrëzuar alibinë e saj në publik, ku fliste për një xhelozi të papërmbajtur ndaj Rexhep Rrajes.
Ndërkohë në intervistat në Opinion dhe në Open, Xhisiela Maloku ka treguar se ende vuan nga xhelozia për Rexhep Rrajen dhe nuk ka përmendur në asnjë rast një histori të saj të mundshme me një djalë tjetër.
