Zhaklin Lekatari: Ju rrëfej historinë e jetës, jam adoptuar në një familje italiane, raportin me nënën biologjike…
Zhaklin Lekatari, gazetare e aktiviste, themeluese e blogut “Tabu.al” një nga zërat më rebelë në median shqiptare ishte e ftuar sot në “Vila24’ moderuar nga Brunilda Lahe. E gatshme për të folur hapur mbi edukimin seksual, emancipimin e shoqërisë dhe jetën e saj private, Lekatari ka befasuar me rrëfimin e saj të pakursyer edhe për familjen e fëmijërinë, duke treguar se pasi i ati ndërroi jetë, e ëma e ka dhënë për adoptim atë dhe motrën e saj në një familje italiane.
Lekatari pranon se nuk e ka përjetuar mirë këtë vendim dhe nuk ruan mbresa nga familja që e birësoi, madje thotë se nuk ka komunikim me ta, përveç vëllait të vogël, kritikon mamanë adoptuese që nuk i ka kërkuar ende ndjesë për mënyrën si është sjellë me të dhe përmban emocionet kur duket qartë se përvoja e saj në Itali ka qenë goxha e vështirë. “Trauma të mëdha më ndodhën menjëherë, por dhimbja të pasuron. Na janë dashur vite për të shëruar traumat…”-shton Zhaku e prekur teksa zbulon dhe raportin me mamanë e saj biologjike.
“Kam pasur ndjenja refuzimi, ndjenjën e fajit, me nënën kam pasur marrëdhënie të komplikuar…”, thotë ajo, ndërsa shton se tani që është kthyer në Shqipëri, jeton me mamanë e saj biologjike, Antonetën. Jeta e trazuar e Zhakut, pas kolegjit katolik, studimeve në një universitet laik, vijon me një kapitull të ri në Kosovë.
“Në Kosovë humba veten, gjeta një realitet tjetër. Atje u varfërova nga mënyra si flisja, si sillesha, paragjykoja veten…” –shton ajo, ndërsa ndalet tek rikthimi në Shqipëri që e ka përjetuar si një rilindje. “Shqipëria më ka anatemuar, më kanë thënë të futesha në rresht, unë e urreja rregullin, e urreja Shqipërinë, më dukej si burim i vuajtjeve të mia, por kuptova se problemin e kisha brenda vetes e duhet të përballesha me të”-thotë Zhaku, e cila në çdo intervistë është si një libër që duhet rilexuar shumë herë. Në nisje të bisedës ajo i dha hapësirë blogut të saj mbi edukimin seksual duke bërë të ditur se tashmë ka nisur edhe një cikël studimesh në distancë mbi këto tematika, duke pretenduar të jetë gruaja e parë që tenton të “dekriminalizojë” seksualitetin e gruas.