10 vjet pa dhe me të atin, Lori Hoxha rrëfen pengjet më të mëdha

Nëse do ta përshkruante me një fjalë dhe jo sepse është vajza e tij, (sepse i tillë ishte ai që ndërtoi atë që, po për meritë të tij, mori emrin perandoria Top Channel) e vetmja që do do të thoshte në çdo kohë Lori, është “i papërsëritshëm”: “Nuk ka të dytë si ai, as në familjen time, as në shoqërinë shqiptare, nuk bëhen dy si ai”, – thotë vajza e madhe e Tanit në një bisedë në Top Magazine përballë Alban Dudushit, duke kujtuar momentet më të bukura me të, por edhe pengjet më të mëdha që ai i la pa realizuar.

Vështirë ta kontrollojë dridhjen e zërit, megjithatë i ka të qarta të gjithë objektivat që i ati, edhe pse nuk ia la me të shkruar, ia trashëgoi pa e ditur që dashuria për televizionin dhe për Topin, Lorit do t’i injektohej. Përgjatë një dekade, gjërat pa Tanin nuk kanë qenë të lehta, por Lori është e vendosur për ta vazhduar rrugën e tij. Sot, 10 vjet pas ndarjes së parakohshme nga jeta, Lori e di mirë se edhe presioni i të qenit vajza e tij është shumë i madh, por ajo është e vendosur të mendojë dhe të veprojë në çdo kohë si do të donte i ati.

Pyetjes nëse ka qenë ndonjëherë barrë mbajtja e emrit të Tanit, gjithmonë mbi supe, Lori i përgjigjet: “Barrë nuk do të jetë kurrë. Është privilegji më i madh në jetë të jem fëmija i tij, por ka një lloj presioni që vjen me të, është i padiskutueshëm. Kur e shohin të tjerët nga jashtë, imagjino unë nga brenda si e ndjej. Je gjithë kohës në luftë për të bërë atë që do të donte ai, por pa humbur veten tënde. Që nga momenti që ai nuk ka qenë më, unë e kam kthyer të gjithë jetën time dhe e shoh atë, pastaj shoh jetën time. Dhe kjo bëhet pak e vështirë, sepse ti pastaj thua: “Ok, po e bëj për atë apo po e bëj kot?” Ndoshta nuk do t’i pëlqente kjo gjë që po bëj….”

Pas 10-vjetësh mungesë, Lorit i vjen shumë keq që ai nuk është më. Jo sepse është vajza që i mungon shumë i ati, por edhe sepse Tani ishte i prirur të ndihmonte më shumë njerëzit e këtij vendi: “Më vjen shuëm keq që nuk është më pjesë e shoqërisë shqiptare, sepse sado që i bënte gjërat edhe për kënaqësinë e vet, e bënte shumë edhe për njerëzit e këtij vendi dhe mendoj se do t’I kishte dhuruar këtij vendi, sikur edhe diçka më shumë, prapë do kishte bërë një ndryshim më të mirë.

Share With:
Translate »
874 Views