15 maji, Dita Ndërkombëtare e Familjes, të fuqizojmë familjen si institucion

Kjo ditë festohet në të gjithë botën që nga viti 1993, kur Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e shpalli 15 majin si Dita e Familjes. Qëllimi ishte inkurajimi i vendeve anëtare që të identifikojnë nevojat për fuqizimin e familjes si institucion. Promovimi i familjes dhe vlerat e saj, nxitja e barazisë midis grave dhe burrave në familje, mbrojtja e familjes si njësi bazë e shoqërisë dhe ndihmë ndaj familjeve për të përmbushur përgjegjësinë e tyre për komunitetin është misioni i veçantë i kësaj date të shënuar.

Familja e shëndoshë është gjeneratori kryesor i një shoqërie të shëndoshë, i një të ardhmeje të sigurt, si dhe njëri prej faktorëve kryesorë i ecurisë normale të shtetit. Për të ekzistuar familja, së pari si nocion, e pastaj si realitet, duhet që patjetër t’i jepet rëndësia e duhur martesës. Fenomeni i martesës, pa më të voglin dyshim, është esenca e familjes dhe shoqërisë, por nuk përjashtohet mundësia se, martesa mund të shërbejë, edhe për shkatërrimin e familjes, duke qenë njëkohësisht në numër të gjithë pjesëtarët që e përbëjnë atë. Në shoqërinë e sotme, divorcet dhe mungesa e harmonisë në familje është bërë një realitet i pamohueshëm.

Në shoqërinë bashkëkohore, për fat të keq, struktura familjare është ligështuar ndjeshëm, sepse i është nënshtruar një sërë sulmesh të karakterit moral, ekonomik etj. Kjo sjell si pasojë kolapsin e lindjeve.

Ndërsa numri i lindjeve në Amerikë vijon të jetë i kënaqshëm e në vendet aziatike i bujshëm, në Evropë çiftet janë të brishta. Bashkimi ndërmjet tyre zgjat pak, nuk kanë projekte as për veten e aq më pak për brezat e ardhshëm. Prandaj mbizotëron mendimi konsumistik, që ka në qendër të vëmendjes blerjen e shtëpisë, të automobilit etj. E kjo sjell si pasojë kolapsin e strukturave familjare, ligështimin e tyre të mëtejshëm e, natyrisht kolapsin demografik, me pasoja të rënda.

/Revista Psikologji

Share With:
Translate »
252 Views