Kiara u bashkohet grupit të nënave që mbajnë bebin 9 muaj në bark dhe në fund, bebi i ngjan babit
E ke parasysh kur e thua me trishtim, por edhe me krenari atë shprehjen: “Epo më rroftë që e mbajta bebin 9 muaj në bark se s’i ka lënë gjë të atit?”. Këtë mund ta thotë edhe Kiara…
Ne vërtet s’e kemi parë ende portretin e Luna Marisë, por Luizi, përmes një komenti në Instagram, na tregoi se e vogla i ngjan atij.
Kiara publikoi një foto të bebushes dhe vëmendjen e mori komenti i Luizit, i cili shkroi:
“Veç gishtat e këmbës i ka si unë të tjerat dihet… si unë prapë”.
Kiara, nga ana tjetër, nuk na provoi të kundërtën, ndaj deri tani, këtë përshtypje do të kemi…të paktën, derisa ta shohim portretin e gocës.
Luna Mari lindi më 30 prill të këtij viti. Luizi ka folur shpesh për ndjesitë e prindërimit. Në fillim, përmes një videoje në Instagram, këngëtari u shprehu: “Më keni bërë njeriun më të lumtur në botë! Kam menduar se lumturia ka qenë kur më ka thënë Kiara “po”, por më vjen keq t’i them Kiarës se lumturia më e madhe qenka kjo tjetra. Është fakt. Keni për ta kuptuar kur ta provoni dhe ata që e kanë provuar e dinë. Zoti ju bekoftë!”, tha Luizi.
Ndërsa në një konferencë për shtyp ku njoftoi se do të jetë imazhi i ri i pijes energjike Golden Eagle, ai u shpreh: “Do ju shaj gjithë jetën që s’më keni thënë më parë që të bëhem me fëmijë se nuk paska gjë më të lumtur. Edhe jetën e shoh ndryshe. Tani fillon jeta. Momenti i lindjes na erdhi papritmas, sepse vajza lindi më 30 prill”, u shpreh Luizi, duke thënë se mjekët e kishin përllogaritur lindjen e bebushes në maj.
“Vajza ime është e paparashikueshme dhe faleminderit Zotit, janë shëndoshë e mirë të dyja, si vajza, si Kiara. Kur lindi, rastisi që ishte edhe nëna ime atje dhe kemi qenë të tre bashkë. Pastaj, erdhi e ëma e Kiarës dhe iku sërish në Itali. Tani është duke ndenjur me nënën time dhe dihet, unë tani e dua nënën më fort se kur e shoh se sa kanë vuajtur me ne…”.
“Zoti më ka bekuar me vajzë. Gëzim më të madh s’paska!”, përfundoi Luizi.