17 ditë në shpellë, si nisi gjithçka dhe si u shpëtuan djemtë

Lajmi se të 12 djemtë dhe trajneri i tyre u nxorën me sukses jashtë shpellës është një çlirim i madh për miliona tajlandezë, por edhe për të gjithë ata që kanë ndjekur çdo hap të kësaj historie të jashtëzakonshme.

Djemtë, të moshës 11 deri në 16 vjeç, po eksploronin kompleksin e shpellës Tham Luang sëbashku me trajnerin e tyre 25-vjeçar, pas një seance stërvitore më 23 Qershor. Ishte thatësirë kur u futën, por papritur nisi të binte shi dhe shpella u mbush me ujë, duke i bllokuar ata brenda dhe duke i detyruar që të futeshin edhe më thellë.

Lajmi për zhdukjen e fëmijëve çoi në një operacion masiv, ku u përfshinë më shumë se 1 000 persona. Pjesë e operacionit u bënë edhe zhytës ekspertë nga e gjithë bota, të cilët udhëtuan drejt Tajlandës për të dhënë ndihmën e tyre.

Më 2 Korrik, 9 ditë më vonë, zhytësit britanikë gjetën grupin e djemve, të uritur dhe të lodhur në thellësi të shpellës. Ishte ditë që shkaktoi gëzim të madh në mbarë vendin.

Por gëzimi u shndërrua shpejt në shqetësim, kur ushtria paralajmëroi se djemtë mund të mbeteshin brenda në shpellë për muaj të tërë, pasi për t’i nxjerrë prej andej duhej pritur për largimin e ujit.

Zhytësit u dërguan atyre ushqime dhe sende të tjera, ndërsa brenda u fut edhe një mjek i Marinës, për t’u kujdesur për grupin.

Më 6 Korrik, ish-zhytësi i Marinës Tajlandeze, Saman Gunan gjeti vdekjen, pasi humbi ndjenjat në shpellë, ku po dërgonte maska oksigjeni për fëmijët. Vdekja e tij nënvizoi rrezikun që paraqitej në operacionin e shpëtimit të djemve.

Të dielën, autoritetet tajlandeze vendosën se duhet të vepronin, për shkak të frikës në rritje se përmbytja në shpellë do të përkeqësohej si pasojë e reshjeve.

Dhe kështu nisi operacioni i jashtëzakonshëm për të shpëtuar skuadrën. Në tre rrugë, djemtë u drejtuan nga zhytësit ekspertë, për të ecur nëpër kalimet e rrezikshme e të ngushta, aq shumë sa herë pas herë duhet të hiqnin maskat e oksigjenit dhe t’i vendosnin pas koke.

4 prej djemve u nxorën të dielën, 4 të hënën dhe 4 të tjerët sëbashku me trajnerin e tyre u nxorën këtë të martë

Share With:
Translate »
726 Views