Tre fëmijët largohen nga SHBA për t’u bashkuar me nënën në Shqipëri/ VIDEO
Tre fëmijët e mitur të Cile Precetaj janë detyruar të largohen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të udhëtojnë drejt Shqipërisë, ku do të ribashkohen me të ëmën e tyre. I dëshpëruar, babai Pete Gojcevic u ka dhënë lamtumirën fëmijëve Megan, Michael dhe Martina. Sonte të miturit do të nisen nga aeroporti i Detroit për në aeroportin e Romës, e më pas do të shkojnë në Shqipëri.
Fëmijët kanë lindur në Amerikë dhe nuk kanë probleme me qëndrimin aty, por do të udhëtojnë drejt Shqipërisë për të qëndruar me mamanë, Cile Precetaj. 46-vjeçarja u dëbua në Maj të këtij viti nga SHBA, pasi autoritetet amerikane nuk i dhanë leje qëndrimi. Pas 18 vitesh jetese në Shtetet e Bashkuara dhe pa asnjë rekord kriminal, për shkak të mungesës së dokumenteve u përball me dëbimin nga vendi.
Dy muaj më parë kur u largua, 46-vjeçares nuk iu dha as shansi për t’i thënë mirupafshim familjes së saj. Bashkëshorti i saj, Pete, është një emigrant jugosllav që ka jetuar në SHBA për 30 vjet dhe ka në pronësi një restorant.