17 vjeçarja vdiq nga meningjitit akut, shenjat iu shfaqën pas eskursionit në Korçë
Meningjiti akut i mori jetën një 17-vjeçareje nga Durrësi, nxënëse e gjimnazit “Leonik Tomeo”.
Tragjedia ndodhi më 15 dhjetor 2024, pasi vajza, Noela Caka, u dërgua me urgjencë nga spitali i Durrësit në spitalin infektiv në Tiranë. Hetimet epidemiologjike tregojnë se shenjat e sëmundjes janë shfaqur pas një ekskursioni në Voskopojë, ku ajo kishte qenë me klasën një javë më parë.
Sipas epidemiologes Donika Mema Bardhi nga Instituti i Shëndetit Publik, Noela kishte shfaqur gjendje virale të lehtë pas kthimit nga Voskopoja më 11 dhjetor, e cila duket se ishte përmirësuar deri të premten, 13 dhjetor. Mirëpo, të shtunën, më 14 dhjetor, situata ndryshoi papritur, me dhimbje të forta koke dhe të vjella, duke çuar në paraqitjen e saj në urgjencën e spitalit të Durrësit.
Pas ekzaminimeve, ajo u transferua menjëherë në Tiranë, ku analiza e lëngut cerebrospinal konfirmoi diagnozën e meningjitit akut.
Ekspertët kanë kryer një hetim të detajuar në lidhje me ekskursionin dhe kontaktet e vajzës pas kthimit nga Voskopoja.
Të gjithë personat e ekspozuar, përfshirë familjarët, shokët e klasës dhe stafin mjekësor që e trajtoi, janë kontrolluar dhe kanë marrë profilaksi.
Deri tani, nuk është identifikuar asnjë rast tjetër i sëmundjes, duke treguar se rasti mbetet i izoluar.
Epidemiologia Bardhi thekson se nuk ka vend për panik, por apelon për kujdes të shtuar ndaj simptomave të meningjitit, si temperaturë e lartë, dhimbje koke të forta dhe lodhje ekstreme, dhe për konsultime të menjëhershme me mjekun në raste të tilla. Ajo gjithashtu thekson se meningjiti mbetet një sëmundje sporadike në Shqipëri, me raste të rralla gjatë viteve të fundit.