U cilësua si “bebja mrekulli”, lindja e rrallë që i fiksua nga kamera

Janë gjithnjë pamje të rralla, mbi të gjitha sepse vetë ky fenomen është i tillë. Bëhet fjalë për një bebe të lindur me qeskë amniotike, ose siç njihet ndryshe “me këmishë”. Një video është postuar së fundmi në rrjetet sociale, që tregon pikërisht këtë moment. Mjekët u filmuan duke performuar një lindje cezariane dhe duke e nxjerrë beben me kujdes nga barku i nënës, ndërkohë që ai ndodhej brenda qeskës së mbushur me ujëra.

Për një moment, bebja mund të shihet teksa shtyn kokën për të dalë nga qeska, derisa mjekët e çajnë. “The Independent” shkruan se nuk është e qartë kur dhe ku është filmuar videoja, e cila u postua në Facebook. Qesja ambiotike, ndonjëherë e quajtur edhe “membrana” është e mbushur me lëngje, ku foshnja zhvillohet dhe rritet. Ajo e mbron beben nga goditjet dhe lëndimet dhe në të njëjtën kohë e mban atë të ushqyer me lëngjet e nevojshme që i duhen për të marrë frymë dhe për t’u gëlltitur.

Qesja nis të formohet dhe të mbushet me lëngje brenda pak ditëve nga ngjizja dhe zakonisht çahet menjëherë përpara se të nisin dhimbjet e lindjes. Bebet lindin shumë rrallë me këmishë, apo me qese. Fenomeni besohet se ndodh 1 në 80,000 lindje. Në Gusht një grua pushtoi faqet e para të mediave botërore pasi postoi një foto të bebes së saj të lindur me këmishë, të cilin ajo e solli në jetë në makinën e saj, 11 javë para kohe.

Share With:
Translate »
1840 Views