Noizy dhe Stresi në librat shkollorë, por çfarë (nuk) duhet të mësojnë fëmijët prej tyre?

Duket si një xhelozi reperash, në pamje të parë, por “lufta” është më e madhe se kaq. Numri i madh i koncerteve, fansa të panumërt që ia njohin tekstin dhe muzikën në çdo presje e çdo notë, media influencuese, lajme rozë, projekte njëri pas tjetrit, një këngë pas një tjetre… Pastaj, krejt papritur edhe në lajmet e kronikës së zezë… Ky është modeli që ndjekin?

Vetëm një ditë më parë, me krenari, Noizy ndau me të gjithë lajmin se emri i tij gjendet lehtësisht edhe në librat shkollorë. Në një tekst të Gjuhës shqipe, klasa IV (shtëpia botuese Pegi), një ushtrim me emrin e tij nuk është aspak i vështirë për t’u zgjidhur edhe nga fëmijë të moshës 10-vjeçare. Jo vetëm sepse ata e dëgjojnë dhe e pëlqejnë muzikën e Noizy-t, por më shumë se aq, dëgjojnë e ndjekin edhe lajmet që dalin për të në mediat sociale (fëmijët e kësaj moshe dinë gjithçka për këngëtarët e tyre të preferuar).

Një ditë pas tij, edhe Stresi, po me të njëjtën krenari, postoi një foto në Instagram për të treguar se edhe emri i tij është pjesë e librave shkollorë. Në rastin e tij, në fakt, në një tekst letrar, emri i personazhit është Stresi. Ky i fundit, mund të mos i referohet Stresit që njohim ne të gjithë, por megjithatë, është një emër i njohur për fëmijët që i çon ata pa u menduar gjatë te Arkimed Lusha.

Deri këtu, gjithçka është në rregull. Duket në rregull, por jashtë këtyre dy emrave, ka edhe një debat të hapur. Nëse dikush nga ne pyet çfarë duan Noizy dhe Stresi në librat shkollorë, e ka të thjeshtë ta marrë përgjigjen: janë personazhe të njohur, artistë, janë këngëtarë që përtej muzikës që bëjnë, ndajnë me publikun edhe shumë vlera të tjera njerëzore.

Atëherë, pyetja e thjeshtë e të gjithëve: A duhen përfshirë në librat shkollorë Noizy dhe Stresi?

Përgjigjja më e mirë do të ishte PO, por edhe JO. Argumentet, për këtë janë pothuaj të njohur.

Të gjithë i dimë “bëmat” e këtyre dy reperave, por edhe shumë të tjerëve, sherret me edhe pa shkak, arratisjet e Stresit, sulmet me armë të Noizy-t e të tjera ngjarje aspak të këndshme, të cilat, natyrisht, kanë kaluar edhe nga veshi e sytë e fëmijëve. Ja pse Stresi dhe Noizy NUK duhet të jenë në tekstet shkollore. Kush nuk i ka dëgjuar arratisjet spektakolare të Stresit nga komisariati i policisë, aventurat e peripecitë, arrati pas arratie? Të gjithë, madje edhe fëmijët! Ja pse ai NUK duhet të jetë në tekstet që mësojnë ata në shkollë.

Nga ana tjetër, edhe Noizy nuk ka qenë më pak problematik në këtë drejtim. Sherri me armë në Prishtinë, ndalimet nga policia kohë e pa kohë, nuk kanë dhënë imazh të mirë për reperin e njohur, pavarësisht se të rinjtë ia mbushin sheshet, club-et e stadiumet.

Megjithatë, fëmijët mund të mësojnë shumë prej tyre. Pavarësisht të gjithave, Noizy dhe Stresi janë ndër personazhet që nuk harrojnë kurrë të kthejnë kokën pas – të kujdesen e të kontribuojnë për fëmijët në nevojë. Rastet e bamirësive të tyre janë të panumërta. Shumë mund t’i keni lexuar e dëgjuar kalimthi, por janë shumë më shumë ato që ata bëjnë pa zhurmë.

Ju, me siguri, kujtoni edhe kacavjerrjen e Stresit në katin e shtatë të një pallati afër lagjes për të shpëtuar një vogëlushe që ishte bllokuar brenda në shtëpi. Por nuk ka qenë i vetmi.

Është fakt, Noizy dhe Stresi janë në tekstet shkollore. Nëse personazhet që përfshihen në të tilla tekste duhet të jenë modele për fëmijët dhe të rinjtë, edhe ata janë. Janë shembull sa herë bëjnë të tilla sakrifica të mëdha, sa herë gjenden afër njerëzve në nevojë, afër fëmijëve jetim dhe atyre që i kanë idhuj, afër çdo adoleshenti që do të bënte gjithçka për të qenë në koncertin e tyre.

Ama NUK meritojnë të jenë në tekstet shkollore nëse janë në lajmet e kronikës, nëse vazhdojnë sulmet, sherret e një lufte të heshtur për të bërë “të fortin” e lagjes. NUK meritojnë të jenë në librat e fëmijëve nëse vazhdojnë të bëjnë “djalin e keq”.

Noizy dhe Stresi, djemtë e këqinj të lagjes, mund të jenë një model mjaft i mirë frymëzimi për fëmijët dhe të rinjtë. Sa herë do t’u tregojnë atyre se suksesi është i garantuar nëse ke punuar fort dhe ke derdhur djersë, nëse ia ke dalë mbanë të ngrihesh edhe kur je rrëzuar shumë herë. Sepse ke mësuar të dështosh e të luftosh përsëri…. Deri në Fund!

Share With:
Translate »
1251 Views