Rrëmbeu djalin 20-muajsh nga dhoma/ Policia e gjen pas 6-orësh, kamerat filmojnë momentin rrëqethës
Policia australiane ka arritur që pas gjashtë orësh operacion kërkim-shpëtimi, të gjejë djalin 20-muajsh, i cili është rrëmbyer nga shtëpia e tij nga një 31-vjeçar.
Burri me maskë dhe doreza, ishte futur në një shtëpi në Brisbane rreth orës 4 të mëngjesit, duke marrë djaloshin nga shtrati për t’u zhdukur më pas nga vendi i ngjarjes.
Zhdukjen e djalit e kishte vënë re gjyshi i tij, i cili rastësisht ishte ngritur dhe kishte parë derën e dhomës së djalit të hapur.
Edhe kamerat e sigurisë kanë filmuar rrëmbimin, ku menjëherë janë lajmëruar organet e sigurisë që në afat rekord filluan hetimet për djalin e zhdukur.
Ai është gjetur pas gjashtë orëve në një shtëpi rreth tetë kilometra larg vendit ku është rrëmbyer. Për fat të mirë, nuk ishte i lënduar, ndërsa autori ka përfunduar në prangat e policisë.
Gjatë seancës dëgjimore i arrestuari pretendonte se vuan nga skizofrenia dhe se kishte dëgjuar disa zëra, megjithatë atij i është caktuar menjëherë masa e paraburgimit.