Arsyeja se pse në momentet e para në jetë, bebushja e Chiara-s gjendej në një dhomë me drita vjollcë

Fotoja e parë e vogëlushes së Chiara Ferragni-t dhe reperit Fedez, e cila erdhi në jetë më 23 mars, u shkrep në një dhomë me drita në ngjyrë vjollcë. Shumë njerëz mund të kenë menduar se fotoja e parë e bebushes Vittoria mund të ketë qenë me efekt ose drita rastësore, por jo.

Duket se arsyeja pse dritat janë në ngjyrë vjollcë lidhet me një praktikë që po përdoret gjithnjë e më shumë nga mjekët, veçanërisht në rrethana të caktuara. E njohur gjithashtu si kromoterapi, terapia e ngjyrave bazohet te ideja se ngjyrat dhe dritat me ngjyra mund të ndihmojnë në trajtimin e shëndetit fizik ose mendor. Sipas kësaj ideje, ato shkaktojnë ndryshime në gjendjen tonë.

Sot, terapia e ngjyrave shihet kryesisht si terapi plotësuese ose alternative e mjekësisë. Për shembull, disa llixha ofrojnë sauna me kromoterapi dhe pretendojnë se ato ofrojnë përfitime për klientët. Njerëzit mund të zgjedhin dritën blu nëse duan të pushojnë ose të ndihen të qetë, ose rozën nëse duan të detoksifikohen.

“Ngjyrat kanë efekte të caktuara biologjike dhe psikologjike tek njerëzit dhe mendoj se është koha që ne të fillojmë t’i shfrytëzojmë,” thotë për Healthline Mohab Ibrahim, Profesor i Asociuar i anesteziologjisë në Kolegjin e Mjekësisë të Universitetit të Arizonës, Tucson.

Studimet thonë se duke simuluar rrezet e diellit, drita vjollcë rregullon ritmin e zemrës dhe ciklet e gjumit-zgjimit. Dritat e buta ndihmojnë që të çlirohet oksitocina, një hormon që luan rol të rëndësishëm në lidhjet shoqërore, riprodhimin, lindjen e fëmijës dhe periudhën pas lindjes, si në rastin e Chiara-s këto dy të fundit. Kjo ngjyrë përdoret për të qetësuar sistemin nervor, për të qetësuar organet dhe relaksuar muskujt (kujtojmë se Chiara solli në jetë Vittoria-n përmes një lindjeje natyrale).

Terapia e ngjyrave ka një histori të gjatë. Të dhënat tregojnë se është praktikuar dikur në Egjiptin e Lashtë, Greqi, Kinë dhe Indi. “Marrëdhënia jonë me ngjyrat ka evoluar krahas kulturave, feve dhe jetës sonë,” tha për Healthline ekspertja e terapisë Walaa Al Muhaiteeb. “Ngjyra si shfaqje e dritës ka patur status hyjnor për shumë njerëz. Shëruesit egjiptianë vishnin parzmore me ngjyrë blu për të shënuar shenjtërinë e tyre,” shtoi ajo.

Tani për tani, shkenca e mjekësisë nuk mund të konfirmojë nëse dritat me ngjyra ose ngjyrat mund të trajtojnë sëmundjet fizike ose do të ndihmojnë në përmirësimin e shëndetit mendor.

Share With:
Translate »
356 Views