Mësuesi abuzues në Gjirokastër dënohet me 4 vite burg, prindërit e vajzës së mitur: Ajo është çorientuar
Skandali në fshatin Luftinjë, ku një mësues abuzoi me nxënësen e tij të mitur për dy vite, bëri bujë në media dhe jo vetëm. Myzo Dida jepte mësim nga klasa e parë deri në klasën e pestë në fshatin Luftinjë, ndërsa nga mosha 8 deri në moshën 11-vjeçare ka abuzuar me vajzën e mitur.
Fillimisht ndaj tij u mor një masë qesharake prej vetëm 40 ditësh arrest shtëpie dhe gjyqi zvarritet në 36-37 seanca. Pas këmbënguljes në “Shqipëria Live” dhe publikimit të ngjarjes më 2 korrik 2020, Gjykata mori vendimin që më në fund të dënohet mësuesi abuzues. Ai u dënua me 4 vite burg, pas një maratone prej 66 seancash.
Sot në lidhje direkte nga Gjirokastra me emisionin “Shqipëria Live” ishin prindërit e vajzës, Arta dhe Besnik Muçodemi. Ata u shprehën se nuk janë aspak dakord me vendimin që ka marrë gjykata.
“Nuk jemi të kënaqur me dënimin e gjykatës. Ne tre vite po bredhim vetë, e katër vite nuk janë asgjë. Ne donin 6 vite e gjysmë aq sa na tha avokatja. Nuk na duket aspak e drejtë. Ne nuk do lëmë gurë pa lëvizur, do e kërkojmë deri në fund. Fëmijën na e shkatërroi, kemi 3 vite që bredhim, e ai merr katër vite burg”, tha e ëma e të miturës.
Sipas Artës, vajzën e kanë dërguar te një kushëri i tyre, në një tjetër fshat, pasi vajza nuk shkon dot te shkolla ku ka ndodhur ngjarja e rëndë.
“Vajza jonë e ka përjetuar shumë keq. Në shkollë është, por është e çorientuar. Vajza ka ikur në një fshat tjetër. Më thotë se është shumë e stresuar. Ja treguam se është dënuar, u gëzua pak. Vajzën nuk e marrim dot në shtëpi, se nuk e përballon dot të shkojë te shkolla ku ishte. Do e lëmë ta mbarojë 9-vjeçaren atje”, rrëfeu e ëma.