Senati francez voton për të ndaluar që vajzat myslimane nën 18 vjeç të mbajnë hixhab
Senati Francez ka votuar për të ndaluar që vajzat myslimane nën moshën 18 vjeç që të mbajnë hixhab. Në votim gjithashtu u kërkua që të ndalohet hixhabi për gratë që shoqërojnë fëmijët në shkollë, apo kur një grua mbulohet në pishinat publike. Senatorët francezë që votuan në favor të këtyre rregullave besojnë se i ashtuquajturi projektligj anti-ndarje do të ndalojë shenjën e dukshme fetare nga të miturit dhe të çdo veshjeje që do të nënkuptojë një inferioritet të grave ndaj burrave. Megjithatë ky është vetëm një votim dhe ende nuk ka hyrë në statusin e ligjit, pasi projektligji duhet të konfirmohet nga Asambleja Kombëtare. Senatori i krahut të djathtë, Bruno Retailleau, e përshkroi hixhabin dhe burkën si “seksiste”, “shenjë të nënshtrimit të grave” si dhe “flamurin e separatizmit”.

Nga ana tjetër Amnesty International e ka dënuar projektligjin dhe ka thënë se ai sulmon të drejtat dhe liritë e francezëve, veçanërisht myslimanëve. Kujtojmë se gjithashtu Zvicra në muajin mars ndaloi mbajtjen e burkave në vendet publike pasi kaloi një referendum me një shumicë 51%.