Për të gjithë ata që e kanë ndjekur që në hapat e parë, Mariza Ikonomi duket njësoj si në fillimet e saj. Por shumë vite kanë kaluar prej atëherë. Megjithatë, Mariza i kujton mirë dhe preket ende nga ato momente, e sidomos kur dëgjon këngën e saj me Françesk Radin, “Telefonatë Zemrash”.

E ftuar në emisionin “Historia ime”, këngëtarja nuk i mbajti dot lotët kur kënga u shfaq në ekran. Mariza u shpreh me lot në sy se e ka të vështirë të dëgjojë këngën e saj me Françesk Radin, edhe pse i përcjell shumë emocione. Ajo tregoi se ende nuk e beson që Radi nuk jeton më.

“E kam shumë të vështirë të dëgjoj këtë këngë. Edhe pse më fal emocione, nuk mundem të mos prekem. Edhe nga profesori… unë vazhdoj të mendoj që ai është akoma, edhe pse ka ndërruar jetë. Është e pabesueshme ende për mua, që ai tashmë është në një jetë tjetër. Ka qenë shumë afër meje në karrierën time si artiste. Më ka ndihmuar, më ka mbështetur”, -rrëfeu Mariza, duke treguar më pas:

“Gjithmonë takoheshim dhe flisnim për problemet e muzikës. Çdo gjë të re që unë bëja ia tregoja. I pari që ia tregoja ishte profesori dhe gjithmonë e dija që nuk do merrja atë rezultat që prisja, sepse dihet që familja, mami, më thoshin ti je më e mira. Profesori t’i thoshte gjërat ashtu siç ishin dhe ndonjëherë ishte dhe i sertë dhe shumë kërkues dhe unë i vlerësoja kritikat e tij. Sot dhe kësaj dite më mungojnë kritikat e tij, sepse mungojnë artistë që të thonë mendimet e sinqerta. Ishte krijuar një raport i bukur, profesional-miqësor saqë vështirë ta thyesh.”

Këngëtarja tha se do jetë gjithmonë falënderuese ndaj Françesk Radit, sepse i ka lënë kujtimin më të bukur të fëmijërisë.