Politikanja shqiptare, poston fotot e të birit që e kafshoi një qen endacak në shkollë: Duhet trajtuar ky problem
Ka publikuar disa foto të djalit të saj 9 vjeçar i cili është sulmuar nga një qen endacak pranë shkollës së tij në Prishtinë. Në foto duket plaga që ka marrë djali Edoni në këmbë dhe që ka nxitur reagimin e nënës së tij, Mimoza Kusarit me një thirrje për autoritetet.



Ajo thotë se kjo ngjarje nuk i ka ndodhur vetëm djalit të saj, por qindra fëmijëve të tjerë. Kryetarja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes thotë se duhet një trajtim përmbajtësor i problemit të qenve endacakë. Por gjithashtu ajo shton se duhet ndryshuar edhe mënyra se si njerëzit i trajtojnë ata: Apeloj dhe lus të gjitha nivelet e vendimmarrjes, mos të lëmë fëmijët të rritën me frikën e daljes në rrugë dhe urrejtjen ndaj kafshëve. Të ngremë vëmendjen për trajtimin e qenve të pastrehë dhe trajtimin e mëtutjeshëm të tyre.
Postimi i plotë:
Të dashur miq,
Hapësirat brenda dhe jashtë shkollave, lagjet dhe hapësirat e qyteteve e fshatrave tona, po rrezikohen nga qenët endacakë të cilët shpesh po sulmojnë qytetarët e vendit, përkundër masave të cilat po deklarohen se po merren nga niveli komunal.
Sot cak i një sulmi nga qenët endacakë ishte djali ynë Edoni, 9 vjeçar, në afërsi të shkollës së tij “Ismail Qemali” në Bregun e Diellit në Prishtinë.
Sulmi ndodhi në mes të ditës, ora 1:15 mesditë, derisa djali ishte duke hyrë në oborrin e shkollës. Reagimi i mësuesës, drejtoreshës dhe pastaj emergjencës ka qenë i menjëhershëm dhe pas intervenimit kirurgjik (qepjes) në Emergjencë, Edoni është duke u trajtuar në shtëpi. I falenderoj me radhë të gjithë që sot ishin me Edonin pas sulmit që i ndodhi.
Problemi që sot preku edhe familjen tonë, ka prekur qindra familje në mbarë Kosovën, jam shumë e vetëdijshme për këtë. Është i domosdoshëm trajtimi përmbajtësor i problemit të qenëve endacakë. Problemi i rrugës nuk mund të jenë qenët endacakë, por mënyra se si njerzit i trajtojnë ata.
Unë nga zemra uroj që djali ynë të jetë i fundit që e përjetoi traumën e sotme, por frikohem se nuk do të mbaroj me kaq.
Apeloj dhe lus të gjitha nivelet e vendimarrjes, mos të lëmë fëmijët të rritën me frikën e daljes në rrugë dhe urrejtjen ndaj kafshëve. Të ngrisim vëmendjen për trajtimin e qenëve të pastrehë dhe trajtimin e mëtutjeshëm të tyre.
Nuk e fajësoj askënd sonte, dua të kalojmë këtë mbrëmje me falenderimin se nuk u bë më keq, por jo edhe për të ardhmen. Nuk dua të pranoj si standard këtë realitet, e nuk duhet askush të lejoj të kemi siguri të këtij niveli në rrugët tona.


Disa orë më vonë, zonja Kusari postoi foto me djalin duke treguar se ai tashmë ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore, pas ndërhyrjes me qepje në zonën ku u kafshua.

Ndërkaq edhe në Tiranë ka patur raste sulmesh nga qen endacakë në rrugë. Rasti i fundit ishte me djalin 10 vjeçar i cili u sulmua në një zonë periferike të Tiranës, dhe pas plagëve të marra u dërgua menjëherë në spital. I ati i fëmijës Odise Koka denoncoi rastin pranë institucioneve vendore, të cilat merren me trajtimin e qenve endacakë të qytetit.
