Një nënë bën thirrje: Mbroni fëmijët nga sfida e Tik Tok! Vajza ime kapërceu magnet dhe u operua

Një nënë u bën thirrje gjithë prindërve të kenë kujdes të shtuar ndaj fëmijëve të tyre që përdorin Tik Tok-un. Ajo tregon se vajza e saj 13-vjeçare iu nënshtrua një operacioni serioz në bark pasi provoi një trend të rrezikshëm.

Faye Elizabeth, 33 vjeç e cila jeton në Rainhill, në Mbretërinë e Bashkuar, sqaron më tej se vajza e saj gëlltiti 15 rruaza magnetike teksa ndiqte një sfidë të re “Fake Piercing” në TikTok. Si pjesë e trendit, fëmijët pretendojnë se kanë piercing në gojë duke vendosur rruaza magnetike në pjesën e sipërme dhe të poshtme të gjuhës së tyre, ose në pjesën e brendshme dhe të jashtme të faqes së tyre.

“Mund të ndodhë në një fraksion të sekondës”, thotë ajo.

Vajza e Elizabeth, emrin e së cilës e mban privat, pasi është minorene, fillimisht shkoi në spital më 22 maj me dhimbje barku të forta dhe mjekët menduan se mund të kishte apendesitit ose helmim nga ushqimi. Por kur gjendja e saj u përkeqësua, mjekët i bënë skaner. Aty u shfaqën rruazat të cilat rrinin të bashkuara pasi ngjiteshin prej magnetit me njëra-tjetrën. Kështu bënin një objekt të fortë që shkaktonte dhimbje. Vajza e saj u dërgua me urgjencë në një spital tjetër për një operacion urgjent. Si pasojë asaj iu hoq edhe një pjesë e zorrëve. Adoleshentja është ende në spital dhe nëna e saj thotë se shërimi pritet të jetë i ngadaltë.

Dhe ky nuk është rasti i parë. Një tjetër nënë bëri thirrje gjithashtu për rrezikun nga kjo sfidë pasi djali i saj 11 vjeç kishte gëlltitur 27 magnetë.

*Artikulli i Today Show u përshtat në shqip nga Tiranapost.al

Share With:
Translate »
868 Views