Duke vizituar foshnjen sa “një grusht”, doktor Spiro Damo një jetë në shërbim të prematurëve; si i shpëtoi jetën bebes që lindi 890 gr
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka publikuar një foto tejet emocionuese në facebook. Në të shihet mjeku i njohur Spiro Damo, mjekut i cili ka një jetë në shërbim të fëmijëve prematurë në repartin e Neonatologjisë në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”.
Ai është duke vizituar një foshnje premature, e cila ka lindur para kohe. Dhe pse e vockël dhe ndryshe nga bebet e tjera, foshnja sa “një grusht” të fal emocione të veçanta kur e sheh.
“Doktori është shembull i përkushtimit e profesionalizmit, në përpjekjen e përditshme për të shpëtuar jetë”, shkruan Manastirliu.
Në vitin 2017 një fosnje nga Tirana i shpëtoi vdekjes falë doktorit Spiro Damo, i cili tha se “bebi vuante në barkun e nënës dhe u detyruam të bënim zgjidhje të shpejtë, pasi rrezikohej dhe jeta e nënës. Lindja u krye me operacion. Rasti i Zoit është sukses pasi dikur këta fëmijë nuk arrinin të jetonin”.
Sipas doktor Damos në një intervistë në 2017, 7 në 100 lindje janë prematurë por falë investimeve është rritur ndjeshëm përqindja e jetueshmërisë së këtyre foshnjave.
