E akuzuan se mbylli shkollën dhe ia dha me qira për lokal kushëririt, reagon kryetarja e Bashkisë: Nuk është e vërtetë, nuk i ka ikur truri…

Nxënësit në fshatin Grizë janë transferuar në Patos, pasi ambientet e shkollës i janë dhënë me qira njerëzve të kryetares së Bashkisë, për ta kthyer në lokal.

Denoncimi është bërë nga deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, përmes një reagimi në “Facebook”. Sipas tij, përmes një vendimi absurd të kryetares së Bashkisë, Rajmonda Balili, 46 nxënës të arsimit fillor dhe 22 fëmijë parashkollorë të fshatit Grizë, do transportohen me furgon drejt Patosit, ndërsa shkolla do të kthehet në lokal.

“Abuzimi, vjedhjet dhe shperdorimet e detyres me vendime absurde te keshillave bashkiak nje partiak dhe kryetareve te emeruar te bashkive, vazhdojne te trazojne jeten e qytetareve!

Vendim absurd dhe abuziv i kryetares se bashkise Patos!

Banoret e fshatit Grize ne Patos, prinder dhe nxenes, protestojne dhe akuzojne kryetaren e bashkise, se 46 nxenes te arsimit fillor dhe 22 femije para shkollore, sot kane vendosur ti transportojne me furgon drejte Patosit dhe shkollen ta kthejne ne lokal, duke e dhene me qira shume vjeçare njerezve te afert te saj!

Hapsira rrethe godines se shkolles eshte mbi 1 HA e bollshme per aktivitetet te tjera te parashikuara nga kryetaria e bashkise!” thuhet në postimin e Luan Baçit.

Ndërkohë, nxënësit të dëshpëruar për vendimin, thërrasin: “Duam të hapet shkolla! Duam të hapet shkolla”.

E akuzuan se mbylli shkollën dhe ia dha me qira për lokal

Sot është dita e dytë e protestës e prindërve dhe fëmijëve. Ata madje nuk kanë lejuar që fëmijët dhe mësuesit të shkojnë drejt Patosit. Qytetarët kërkojnë që të hapet shkolla dhe fëmijët të vazhdojnë mësimin në fshatin e tyre.

Ditën e sotme ishte në një lidhje “Skype” kryetarja e Bashkisë së Patosit, Rajmonda Balili, e cila e mohoi në mënyrë kategorike një gjë të tillë. Ajo u shpreh se gjatë muajve të verës, në gusht, ekipi i tyre ka shkuar për të parë mirëmbajtjen e kësaj shkolle dhe ka konstatuar çarje të mëdha në mure.

“Në këtë kohë kryetarja e Bashkisë ka ngritur specialistët për të vërtetuar pretendimin e këtij ekipi. Shkolla përbën rrezikshmëri jo vetëm të ndonjë tërmeti të mundshëm, por edhe të agravimit të situatës.Specialistët thonë për shkak të thatësirës kanë ndodhur këto çarje. Shkolla është ndërtuar në vitin 2000-2001, e ndërtuar nga një fondacion italian. Në momentin që kemi konstatuar se nuk mund të futen mësuesit dhe nxënësit, i jemi drejtuar një komiteti të specializuar për të ardhur e parë gjendjen e godinës. Ekspertiza nuk është bërë ende”, tha Balili

Kryebashkiakja shtoi se Bashkia ka vënë në dispozicion autobusin për të marrë nxënësit nga shkolla e Grizës për ti dërguar në shkollën më të afërt.

“Shkolla më e afërt është dy kilometra. Para 3 ditësh kam patur të gjithë prindërit e nxënësve këtu, drejtorinë e shkollës dhe personelin tim që ka vërtetuar dëmet. Kemi diskutuar gjatë. Kush ka interes të marrë me qira një objekt që po i çahen murit. Nuk i ka ikur truri kryebashkiakut që të bëjë një gjë të tillë. Zoti Baçi e ka shpikur këtë gjë. Duhet të mbajë përgjegjësi për fjalët që lëshon”, tha Balili.

Kjo e fundit shtoi se nëse ekspertiza do të thoshte që duhet të rikonstruktohet apo të hynë nxënësit në shkollë, ato do nisin mësimin aty.

“Për mua është e rëndësishme siguria e nxënësve. Nuk është aspak e vërtetë se ai objekt është dhënë me qira për lokal”, tha ajo.

Share With:
Translate »
212 Views