Maturante ekselente, por digjet në Mjekësi se mungonte Fizika në gjimnaz

Emisioni “Stop” shkoi në Durrës për problemin e maturantes, Dajana Suci, e cila ka përfunduar gjimnazin “Dom Nikoll Kaçorri” me rezultate të shkëlqyera, por nuk ka arritur të jetë fituese në asnjërën prej degëve të mjekësisë, që ishte dhe ëndrra e saj.

“Kam një mesatare gjimnazi 10.00. Aplikova si çdo maturant tjetër në U-Albania. Dëshira ime më e madhe ishte mjekësia e përgjithshme. Përveç mjekësisë hodha edhe stomatologjinë, farmacinë. Hodha edhe ca degë të tjera, por gjithsesi problemi është se tek listat paraprake unë pashë që në asnjë degë të mjekësisë të isha fituese. Një nxënëse me mesatare me VKM 9.8 të jetë në vendin e 1400 për mjekësi të përgjithshme, nuk e di, nuk kam fjalë. Iu drejtova Stopit sepse dua që zëri im të dëgjohet në institucionet arsimore përkatëse dhe mund të gjej një zgjidhje”, tha e reja.

Kjo për shkak se në vitin e tretë nuk ka bërë fizikë, pasi nuk bëhej dot një klasë me këtë lëndë, ndaj dhe i është llogaritur 4 në sistemin e pikëve.  Albano Zhapaj, ekspert i arsimit, shpjegon, se në formulën e përllogaritjes së pikëve, ka rëndësi të veçantë fizika e vitit të 3-të.

“Ajo që vihet re tek lista e notave është që fizikën, kjo maturante e ka kryer në vit të parë, në vit të dytë, por në vit të tretë e shkoj bosh. Përllogaritja e pikëve për mjekësinë parashikon 3 vitet e notës së fizikës. Nota e fizikës së vitit të tretë kësaj maturanteje i mungon”, tha eksperti.

“Stop” iu drejtua gjimnazit në zonën e ish-Kënetës dhe drejtuesja e kësaj shkolle shprehet, se për fizikën me zgjedhje në vitin e tretë, ka qenë vetëm Dajana, por që të hapej një klasë me këtë lëndë, duheshin të paktën 15 nxënës.

Drejtoresha: Në bazë të kritereve, që ne mbështesim si shkollë ose të lëndëve, që kërkojnë nxënësit, fizika nuk është zgjedhur nga nxënësit, për t’u bërë si lëndë me zgjedhje, është zgjedhur biologjia dhe kimia. Është në kuadër të formularëve, që plotësojnë nxënësit për të shkuar në vit të 3-të me lëndët përkatëse. Vetëm një nxënëse me fizikë, unë nuk mund ta bëja.

Gazetarja: Pra ishte vetëm kërkesa e Dajanës, për të bërë fizikë?

Drejtoresha: Vetëm kërkesa e Dajanës!

Gazetarja: Dhe ju nuk plotësonit numrin e nxënësve?

Drejtoresha: Absolutisht po! Dhe nuk arritëm dot…kjo është e vërteta. Edhe një kriter kaq të fortë ndoshta nuk na e mori mendja, por gjithsesi ne nuk ia plotësonim dot vetëm fizikën. Në qoftë se do merrte letrat dhe do ikte në një shkollë tjetër dhe këtë gjë nuk do ta ndalonim, por vetëm një fizikë, s’ka asnjë lloj ligji, që mua ma mbulon.

Gazetarja: Sa është numri i nxënësve, që…?

Drejtoresha: 15!/tvklan.al

Share With:
Translate »
223 Views