Nesër nis shkolla; Hyn në fuqi “Green Pass”. Si veprohet me mësuesit pa vaksinë dhe ndarja e mësimit me turne

Ditën e nesërme fillon sezoni i ri i vitit shkollor 2021-2022. Sërish në kushte pandemie, por me rikthim në ambientet e shkollës, për nxënsësit e 9-vjeçares dhe të gjimnazeve. Edhe të studentëve por me certifikatë vaksine ose test periodik.

Këtë vit, për mësuesit dhe gjithë stafin arsimtar është me detyrim certifikata e vaksinës. Kjo do të thotë se nëse mësuesi ende nuk e ka kryer vaksinën, do duhet të paraqesë test të përjavshëm të Covid me rezultat negativ.

Ministrja e Shëndetësosë Ogerta Manastirliu ka paralajmëruar se nesër pritet të dalë udhëzimi i plotë por ajo që dihet është kjo:

“Duke filluar edhe nga dita e hënë, ne do të lëshojmë udhëzimin që do të ndiqet për të verifikuar ata që kanë kryer vaksinimin, duke filluar nga arsimtarët. Urdhri përmban të gjithë vendimet që ka marrë Komiteti Teknik i Ekspertëve, i cili përcakton që vetë institucionet shkollore, do duhet që të kontrollojnë nërpërmjet mekanizmave që do të ngrenë, të gjithë çertifikatat e vaksinimit për personelin që do të jetë në shkolla dhe gjithashtu duke filluar nga data 11 tetor edhe për studentët. Për arsimatarë të cilët ende nuk e kanë kryer vaksinimin, do të duhet të paraqesin pranë institucioneve shkollore testin dhe të konfirmojnë që nuk janë të prekur nga COVID19 dhe kjo kërkesë do të jetë kërkesë e përjavshme”.

Edhe për Universitetet vlen i njëjti vendim. Studentët duhet të vaksinohen për t’u paraqitur në auditor. Ministrja e Shëndetësisë thotë:

“Për arsimatarë të cilët ende nuk e kanë kryer vaksinimin, do të duhet të paraqesin pranë institucioneve shkollore testin dhe të konfirmojnë që nuk janë të prekur nga COVID19 dhe kjo kërkesë do të jetë kërkesë e përjavshme. Nga ana tjetër, vetë universitetet do të organizojnë mësimin e alternuar për ata studentë të cilët nuk do të kenë kryer ende vaksinimin”.

Ndërsa ministrja e Arsimit Evis Kushi në një intervistë të dy ditëve më parë, ka thënë se në auditorë mund të futen edhe studentët që paraqesin një test negativ PCR, njëherë në 2 ose 3 ditë. Pyetja që shtrohet për një student është nëse testin duhet ta kryejë një herë në 2-3 ditë apo 1 herë në javë? Ministrja Kushi thekson se në fund e vendos Komiteti i Ekspertëve.

Evis Kushi:

“Testi periodik i PCR-së, imagjinoi që çdo dy tre ditë të bëni testin. Ta paraqesin testin në mënyrë periodike, çdo dy ditë apo tre ditë, siç e vendos Komiteti i Ekspertëve”.

Por si do të zhvillohet mësimi nga nesër për ciklin parauniversitar?

Këtë vit shkollor do të ulen për herë të parë në bankat e shkollës 29.300 nxënës. Vetë mësuesit dhe stafet e shkollave organizojnë turnet dhe klasat. Orët mësimore në shkollat që janë me turne do të jenë 30 minuta dhe jo 45 minuta., kjo në varësi edhe të numrit të nxënësve në shkolla.

Ministrja Kushi sqaron se në ato klasa apo shkolla ku mësimi do të jetë me turne, ora mësimore do të jetë 30 minuta.

“Por, dua ta theksoj se ora e reduktuar kompensohet me numrin e reduktuar të nxënësve. Përsëri do të ketë mësim me dy turne, por është një mënyrë, një masë që do ta marrim për të mbrojtur shëndetin e nxënësve, mësuesve dhe komunitetit”, thotë Kushi.

Sipas udhëzimeve nga Minsitria e Shëndetësisë në çdo shkollë duhet të zbatohen rregullat e distancimit fizik dhe masave anti-Covid.

Prindërit çdo ditë duhet të plotësojnë një formular ku të deklarojnë se asnjë person në familjen e tyre nuk është infektuar me COVID-19.

Po ashtu prindërit, dhe personat e tjerë që jetojnë me ta, duhet të deklarojnë statusin e tyre të vaksinimit.

Maska është kusht edhe për nxënësit mbi 12 vjeç. Ndërsa për më të vegjlit rekomandohet por nuk e kanë me detyrim.

Share With:
Translate »
242 Views