Shkollat në këtë vend ndalojnë veshjet e Halloween-it të frymëzuara nga “Squid Game”
Disa shkolla fillore në Nju-Jork kanë ndaluar kostumet e Halloween-it të frymëzuara nga seriali hit i Netflix, “Squid Game”, për shkak të frikës se mund të nxisin dhunën.
Seriali thriller koreano-jugor tregon historinë e njerëzve të zhytur në borxhe që konkurrojnë për një çmim të madh në para, në një sërë lojërash vdekjeprurëse për fëmijë.
Përmbajtja e tij e tmerrshme ka bërë që shkollat t’u dërgojnë email prindërve për “mesazhet e dhunshme”. Ato thanë se veshjet e “Squid Game” në ngjarjet e shkollës do të ishin të papërshtatshme.
“Shkollat në distriktin shkollor Fayetteville-Manlius të Nju-Jorkut kanë udhëzime që ndalojnë veshjet e Halloween-it me artikuj që mund të interpretohen si armë dhe ato që janë shumë të tmerrshme ose të frikshme”, tha për CBS News mbikëqyrësi Dr Craig Tice.
Ai tha se nxënësit kishin rikrijuar skena nga seriali në kohë pushimi dhe drejtorët kishin paralajmëruar prindërit se “lojërat që lidhen me sjelljen e dhunshme nuk janë të përshtatshme”.
Në SHBA, seriali vlerësohet për audiencë të rritur, që do të thotë se mund të mos jetë i përshtatshëm për moshat 17 vjeç e poshtë.
Në shumë vende shkollat u kanë kërkuar prindërve që të jenë vigjilentë për rreziqet që mund të vijnë nga fakti që fëmijët e tyre përsërisnin lojëra nga programi “Squid Game”.