Dyfishohen rastet aktive me Covid
Varianti Omicron ka sjellë një dyfishim të rasteve të të infektuarve aktivë në vendin tonë. Ndërkohë që shtrimet në spital mbeten të qëndryeshme. Madje nga krahasimi i numrit total të të infektuarve ata përbëjnë vetëm 1%.
Sipas shifrave zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë, rastet aktive gjatë tetë ditëve të para të Janarit, janë rritur me 97%. Nga 6,200 raste që ishin më 31 Dhjetor, aktualisht janë më shumë se 12,200 të infektuar aktivë.
Nga data 1 deri më 8 Janar janë identifikuar mbi 8200 raste. Edhe pse kemi një rritje shumë të madhe të të infektuarve aktivë, shtrimet në spital mbeten të qëndrueshme.
Në ditën e fundit të vitit që sapo lamë pas ishin 90 pacientë të shtruar, ndërkohë që aktualisht janë rreth 114 të hospitalizuar, duke shënuar një rritje të të hospitalizuarve me 27%.
Por nëse do bënim një krahasim me përqindjen e të shtruarve me numrin total të të infektuarve, rezulton se shtrimet në spital nga 1.5 % që ishin në Dhjetor aktualisht kanë rënë në 1%. Gjithsesi bluzat e bardha ngrenë shqetësimin se rritja e ndjeshme e rasteve aktive mund të reflektohet edhe me një rritje të të shtruarve në spital, javën e dytë të Janarit.
RASTET AKTIVE DHE SHTRIMET
31 DHJETOR 2021
6,249 raste aktive
90 pacientë në spital
8 JANAR 2022
12,283 raste aktive
114 pacientë në spital.