Reagimet impulsive tek fëmijët, ja pse sipas Lira Gjikës fajin e kanë prindërit
Të gjithë prindërit hasin vështirësi në rritjen e fëmijëve. Çdo etapë është shumë e rëndësishme, që kur është një foshnje e deri kur fillon të rritet e të shfaqi sjelljet e para prej adoleshenti. Shumë njerëz mendojnë që mënyra më e mirë për të kaluar një adoleshencë pa probleme është që t’i bëhemi shokë fëmijëve. Mirëpo psikologia Lira Gjika nuk e mendon fare kështu, por e kundërshton bindshëm.
“Prindërit nuk mund dhe nuk duhet të jenë shokë me fëmijët e tyre. Forma e marrëdhënies, ku prindi bëhet dhe shok me fëmijën, po akuzohet gjithmonë e më shumë nga specialistët që merren me studimin e psikës njerëzore, sidomos ata që kanë në qendër studimin e periudhës më të vështirë të jetës së njeriut, adoleshencën. Truri i adoleshentit nuk e ka mbaruar pjekjen dhe ka nevojë për “kufi” të qartë që të mund të vazhdojë procesin e rritjes. Në këtë fazë të jetës njeriu adoleshent, gati gati e ka të pamundur të mendojë për pasojën negative të një veprimi. Shpesh nuk realizon pakthyeshmërinë e një veprimi, si shpejtësia e madhe apo vetëvrasja.
Shpesh është veprimi që e merr përpara dhe jo ai të kontrollojë veprimin. Pra të kuptuarit e pasojave të një veprimi është shumë e vështirë për adoleshentin. Adoleshenti gjithashtu “pushtohet”nga reagime impulsive shumë të fortë që kërkojnë shumë mund për tu mbajtur nën kontroll duke krijuar shumë vështirësi në sjelljen e tij. Prindërit duhet t’u vendosin rregulla dhe kufi fëmijës adoleshent, i cili jeton çaste të vështira e konfuze, pasi “kufijtë” janë si patericat. E ndihmojnë, madje e shpëtojnë adoleshentin. Prindërit duhet të jenë prezent dhe të besueshëm. Ata duhet të jenë model për ta, jo shokë.
Shokët i zgjedh vetë adoleshenti dhe për më tepër që ky është një proces tjetër shumë i rëndësishëm, zgjedhja dhe pranimi i një tjetri si vetja që nuk ka lidhje gjaku. Kjo zgjedhje që prindërit bëhen shokë me fëmijën sipas specialistëve është një përzierje e përtesës me paaftësinë e të rriturit për të bërë detyrën dhe të durojë presionin e energjisë së adoleshentit, por nuk ka rrugë tjetër. I rrituri në përgjithësi dhe prindi në veçanti, është si kapiteni që jep komandën, drejton, i mëson rregullin dhe i nxjerr nga beteja fitimtarë. Prindi shok jo vetëm që e lë vetëm adoleshentin në fushën e betejës së jetës, por i tregon se të jesh i rritur, nuk është gjë tjetër, por një njeri që po i mbarojnë energjitë. Kjo mënyrë po përhapet me të shpejtë edhe te ne.”-shprehet Lira Gjika.