Përurohet statuja e Mbretëreshës Geraldinë, e pranishme edhe Geraldina e vogël

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i pranishëm në ceremoninë e përurimit të statujës së Mbretëreshës Geraldinë, e vendosur në Bulevardin “Zogu I”, tha se ndihet krenar që drejton këtë qytet, që sot i respekton të gjithë ata që kanë lënë gjurmë në vendin tonë.

Përurohet statuja e Mbretëreshës Geraldinë, te Bulevardi

Zëvendës-ministri i Hungarisë për Punët e Jashtme dhe Tregtisë, për Politikat e Sigurisë, Péter Sztáray, i cili mbërriti në Tiranë posaçërisht për këtë përurim foli për marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Hungarisë ndër vite.

“Ne jemi shumë të nderuar dhe shumë të lumtur që jemi këtu sot. Ne hungarezët e çmojmë shumë këtë miqësi që ekziston prej një kohe të gjatë me popullin shqiptar. Historia jonë, përmes shekujsh, ka treguar që jemi së bashku dhe gjithmonë kemi pasur një frymë të mirë bashkëpunimi që prej Skënderbeut dhe Janosh Huniadit e deri më sot”, nënvizoi zëvendës-ministri hungarez, Peter Sztáray.

Princi Leka Zogu tha se kjo vepër arti do të stolisë një nga arteriet qendrore të kryeqytetit.

“Zoti ambasador dhe zoti kryetar i bashkisë, falë punës dhe këmbënguljes suaj historia do t’ju mbajë mend si artizanë të vërtetë të paqes dhe të vëllazërisë mes kombeve tona. Falenderoj në mënyrë të posaçme anëtarët e Këshillit Bashkiak të Tiranës, që kanë përzgjedhur këtë shesh në mes të Bulevardit “Zogu I”, si vendin e ngritjes së shtatores së Mbretëreshës Geraldinë, ata kanë përmbushur një amanet që vjen nga historia dhe kanë drejtuar gishtin nga aspirata e popullit shqiptar për pajtim kombëtar”, tha Princ Leka.

Ceremonia e përurimit të statujës së Mbretëreshës Geraldinë është një bashkëpunim i Bashkisë Tiranë me Ambasadën Hungareze. Statuja është realizuar nga skulptori Sandor Kligl dhe është një donacion i Ambasadës Hungareze për qytetin e Tiranës.

Share With:
Translate »
215 Views