Miss Ukraina flet për “Rudina”: Rusët po vrasin edhe fëmijët

Disa muaj më parë, përfaqësuesja e Ukrainës në “Miss Globe 2021”, Iryna Voloshka ndodhej në studion e “Rudina” në Tv Klan për të folur mbi kompeticionin e bukurisë. Kësaj here, rrethanat e kanë sjellë pranë emisionit në një lidhje Skype nga Ukraina ku ajo flet për situatën e saj aktuale në vend, me të gjitha detajet dhe përjetimet.

Rudina Magjistari: Pyetja e parë që më vjen të bëj është si je ti dhe si është familja jote?

Iryna Voloshka: Për momentin që flasim jam më mirë, tashmë u bënë pesë ditë luftime, më të vështira kanë qenë dy ditët e para, shumë panik, kam qarë shumë, por tani jemi të sigurt sepse po largohemi në pjesën perëndimore të Ukrainës. Nëse do të flasim për pjesën lindore të saj, sidomos për kryeqytetin, Kievin, Odesa është vërtet në gjendje të rënduar, njerëzit nuk kanë ujë dhe ushqime, kanë mbetur të bllokuar në shtëpitë e tyre dhe nuk munden të dalin jashtë, ushtarët rusë po vrasin edhe fëmijët, nuk duan t’ia dinë fare për civilët. Kohë shumë e vështirë tani për vendin tim.

Rudina Magjistari: Atje ku je ti tani, aktualisht ke mundësi të qarkullosh, të lëvizësh? Të blesh gjëra, ushqime? Si është situata për ty konkretisht?

Iryna Voloshka: Tashmë gjendja ime është më mirë se ndodhen në pjesën perëndimore të Ukrainës, por miqtë e mi në Kiev nuk mund fare të dalin jashtë. Pjesën më të madhe të kohës rrinë në strehime për t’u mbrojtur nga bombat dhe nuk po munden të flenë sado pak normalisht. Zgjohen nga sinjalet e herëpashershme se duhet të lëvizin në një vend tjetër, vërtet ky popull nuk po vë më gjumë në sy. Nuk po jeton, dëgjon kudo ulërima, mbyll sytë dhe nuk e di a do të zgjohen më apo jo. Kohë shumë e vështirë për ne. Po dalin probleme edhe me supermarketet sepse në këto kohë tepër të vështira i kanë rritur edhe çmimet kudo, por ka qytete ama ku është e vështirë të sigurosh edhe gjërat më të thjeshta ujë, bukë dhe letër.

Rudina Magjistari: A je e frikësuar ti vetë? Çfarë ndjen?

Iryna Voloshka: Personalisht jam shumë e frikësuar, u bënë pesë ditë që nuk e nxjerr kokën nga dritarja, kam frikë ta hap dritaren dhe kudo shoh fytyra të panjohura nëpër rrugë.

Rudina Magjistari: Ka ndonjë nga familjarët e tu që janë të angazhuar në luftë?

Iryna Voloshka: Për momentin im vëlla dhe disa nga shokët e mi po rrinë në mbrojtje territoriale siç e ka çdo qytet tashmë një të tillë për të mbrojtur qytetet. Disa miq të tjerë kanë kaluar në vijën e parë për të mbrojtur qytetet. Mamin e kam doktoreshë dhe ajo nuk mundet të rrijë në shtëpi, duhet të shkojë në spital dhe të presë njerëz që iu shkojnë atje në nevojë për ndihmë. Kam shumë frikë edhe për të, vijnë nga qytetet e tjera, madje edhe familja ime me tre shtëpi, dhe ne ua kemi lëshuar shtëpinë njerëzve që nuk kanë se ku të jetojnë.

Rudina Magjistari: Ukraina në këto momente, një vend i cili po lufton për lirinë, pavarësinë, demokracinë e vet për ta ruajtur.

Iryna Voloshka: Po, është e vërtetë, të gjithë jemi gati për ta ruajtur vendin tonë, edhe fëmijët e vegjël i dëgjon tek flasin, “do të shkoj dhe do ta mbroj Ukrainën time”, dua të shpëtoj vendin tim, dua liri. Kemi shumë qendra që dhurojnë gjak sepse ushtarët tanë kanë nevojë për gjak, kemi shtabe të veçanta ku njerëzit mund të vinë të hanë, të pinë, të ushqehen. Në Kiev situata është vërtetë shumë e rënduar. Kiev, Kharkiv, Cyniko po sulmojnë kudo, ata nuk po sulmojnë vetëm disa godina, po kudo mbarë shkolla, dyqane, shtëpi, civilë, çdo gjë. Ata nuk duan t’ia dinë më se kush je ti, çfarë je ti, dinë vetëm të sulmojnë.

Rudina Magjistari: Cili është mesazhi që do të japësh sot publikisht për të gjithë ata që të ndjekin, të gjithë shqiptarët që na ndjekin në këtë transmetim, të gjithë shqiptarët kudo që janë përtej kufijve të Shqipërisë, në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, kushdo që e ndjek këtë program, cili është mesazhi yt publik që do të japësh sot?

Iryna Voloshka: Së pari dua të falenderoj të gjitha ata njerëz nga vende të ndryshme të botës që po luten për ne, faleminderit me zemër. Ne duam vetëm paqe, liri të jetojmë në vendin tonë, në tokën tonë. Ju lutem lutuni për ne, flisni me familjarët dhe fëmijët tuaj, shpjegojani që jemi njerëz të mirë. Ne nuk duam luftë me rusët, kërkojmë vetëm paqe mes njerëzve, jemi miqësorë dhe atdhetarë, kemi shumë nevojë për ndihmë humanitare për popullin dhe ndihmë teknike për ushtarët tanë, ushqime, por së pari kërkojmë paqe në botë sepse kjo gjë arrihet, është në dorën tonë, në zemrën tonë, në atë që ndjejmë dhe mendojmë dhe shpresoj se do ta arrijmë.

Share With:
Translate »
283 Views