Përse fëmija nuk e dëgjon kurrë fjalën e parë që i thua?
Fëmijët nuk e dëgjojnë asnjëherë fjalën e parë që i rrituri i thotë. Kështu që nëse i thua “Mos e bëj” dhe fëmija vazhdon ta bëjë një veprim, ndodh sepse nuk e ka dëgjuar fare fjalën “mos”. Këtë e shpjegon më gjatë në statusin e saj këshillues, Lira Gjika.
“Fëmija nuk e dëgjon fjalën e parë
Prindër! Kur flisni me fëmijën, sidomos për t`i tërhequr vëmendjen, fjalën kryesore nuk duhet ta thoni të parën, pasi fëmija nuk e dëgjon. Psh kur fëmijës i thuhet “mos e bëj”, fëmija fjalën “mos” nuk e dëgjon. Kjo ka lidhje me mënyrën se si e mëson fëmija të folurin. Nëna ja rrokëson fjalët fëmijës kur do ta mësojë. Ajo shqipton rrokjen e parë dhe nxit fëmijën të artikulojë rrokjen e dytë. E njëjta gjë ndodh edhe me fjalën, nëna thotë fjalën e parë dhe fëmija shton fjalën e dytë. Nëna e fillon dhe femija e vazhdon. Pra mësimi i shqiptimit fillon me rrokjen e fundit dhe dalëngadalë te fjala e fundit. Fëmija mësohet të përqëndrohet te rrokja dhe fjala e fundit. Kështu, kjo mënyrë të mësuari bëhet edhe mënyrë të dëgjuari. Të gjithe specialistët që meren me gjuhën dhe edukimin e fëmijës së vogël rekomandojnë, që gjatë të folurës të përdoren edhe shenjat, si lëvizja e kokës apo e dorës në mënyrë mohuese apo pohuese, pasi gjuhën e trupit fëmija e ka më të lehtë për ta kuptuar. Duke i bashkuar të dyja, fjalët dhe shenjat, femija do ti marrë më mirë komandat dhe do të kuptojë më saktë se cfar kërkohet prej tij dhe cfar po i thuhet. Kjo “paaftësi” e fëmijës për të mos dëgjuar fjalën e pare, mund të zgjasë deri nga mosha 3-4 vjeç. Nëse prindërit tregohen të kujdesshëm në formulimin e komandave me fjalë, fëmija e ka më të lehtë të zhvillojë përqëndrimin dhe të dëgjuarin sipas radhës së fjalëve, gjë që ndihmon shumë në të ardhmen në drejtim të vëmendjes dhe zhvillimit te mëndjes e mendimit..”, shkruan Lira Gjika.