Harry zbulon çfarë do të bëhet Archie kur të rritet
Princi Harry dhe Meghan u rikthyen në vëmendje prej pranisë së tyre në Lojërat Invictus 2022, në Holandë. Çifti mori pjesë në një pritje të mirëseardhjes të premten, më 15 prill, si dhe në ceremoninë e hapjes të shtunën, më 16 prill, ku të dy folën publikisht.
Meghan Markle ia dedikoi fjalën e saj konkurrentëve ukrainas që ishin të pranishëm, duke bërë kështu një homazh për jetët e humbura prej luftës.
Kurse Harry i nisi lojërat e këtij viti me një fjalim frymëzues. Në fjalën e tij ai foli për djalin Archie, që muajin e ardhshëm do të mbushë 3 vjeç dhe cilat janë aspiratat e tij për karrierë në të ardhmen.
“Kur flas me djalin tim Archie për atë që ai dëshiron të bëhet kur të rritet, disa ditë është një astronaut, ditë të tjera është një pilot – një pilot helikopteri padyshim”, tha Harry, duke iu referuar përvojës së tij të kaluar si një pilot helikopteri gjatë qëndrimin e tij në ushtri.
Harry vazhdoi, duke shtuar, “Por ajo që unë i kujtoj atij është se pavarësisht se çfarë dëshiron të bëhesh kur të rritesh, është karakteri yt ai që ka rëndësi më të madhe dhe asgjë nuk do të bënte nënën e tij dhe mua më krenarë sesa ta shohim të ketë karakterin që ne kemi sot para nesh.”
Çifti ka edhe një vajzë, Lilibet, e cila do të mbushë 1 vjeç më 4 qershor.
Lojërat Invictus, të cilat u krijuar për herë të parë nga Harry, u mbajtën në Londër në shtator 2014. Lojërat, janë një ngjarje sportive ndërkombëtare për njerëzit me nevoja specifike, zakonisht ushtarë të dëmtuar në luftë. Pra konkurrentët luajnë lojëra sportive, në kushte të jashtëzakonshme.