“Shansi i fundit”, Gjykata Evropiane refuzon të ndërhyjë në çeshtjen e Archie Battersbee, 12-vjeçarit do t’i hiqen aparaturat që e mbajnë në jetë
Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut nuk ka pranuar të ndërhyjë në rastin e Archie Battersbee, duke i dhënë fund shpresave të familjes së tij që 12-vjeçari të mbahej në jetë me aparatura mjekësore.
Pasi u pyet për këtë vendim, mamaja e Archie, Hollie Dance tha: “Ky ishte fundi. Ishte shpresa e fundit. Vendi ynë dështoi me një 12-vjeçar”.
12-vjeçari britanik Archie Battersbee ka qenë në gjendje kome pas dëmtimit të rëndë të trurit kur u gjet pa ndjenja në shtëpinë e tij në Southend, në 7 prill.
Gjyqtarët në Britani kanë vendosur se pasi ai nuk ka shanse reale për t’u shëruar, është në interesin e tij më të mirë që suporti me aparate që e mbajnë në jetë të shkëputet. Por familja e tij nuk ka lënë gurë pa lëvizur për ta kundërshtuar këtë vendim.

Në një deklaratë të bërë publike ditën e sotme Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut tha se “nuk do të ndërhynte” në vendimet e gjykatave në Mbretërinë e Bashkuar lidhur me këtë rast.
Familjes së Archie i është dhënë afat deri nesër, të enjten në orën 9 të mëngjesit për ta çuar çështjen në Gjykatën e Lartë, në mënyrë që ta zhvendosin djalin në një lloj azili të dedikuar për personat me sëmundje terminale, në të kundërt suporti që e mban në jetë do t’i hiqet në orën 11:00.
Në arsyetimin e saj gjykatësja tha se përkushtimi i familjes së 12-vjeçarit ishte i jashtëzakonshëm, por ajo arsyetoi se “Nëse Archie mbetet në ventilim mekanik, rezultati i mundshëm për të është vdekja e papritur dhe perspektivat e shërimit janë zero”.
“Ai nuk ka kënaqësi në jetë dhe dëmtimi i trurit është i pariparueshëm. Gjendja e i tij nuk do të përmirësohet. E keqja e një vdekjeje kaq të nxituar është pamundësia e familjes së tij të dashur për t’i thënë lamtumirë.”
