Vera shtoi helmimet tek fëmijët, mjekët: Mbajini larg ushqimeve të gatshme
Sëmundshmërisë së virozave tek fëmijët këtë verë ju shtuan edhe infeksionet bakteriale dhe helmimet nga ushqimet.
Pritshmëritë e mjekëve pediatër ishin për një gusht të qetë e pa sëmundshmëri të shtuar por problemet shëndetësore tek fëmijët e vegjël këtë verë tejkaluan parashikimet.
Çdo ditë një mjek pediatër në qendrat shëndetësore të Tiranës pret mesatarisht 25 fëmijë me probleme që nga ato të një infeksioni të thjeshtë viral e deri tek infeksionet bakteriale të traktit tretës.
Mjekja pediatre Sonila Brati në QSH.2 sheh me shqetësim edhe helmimet nga ushqimet ku shpesh fëmijët gjatë pushimeve për shkak të dëshirave për të konsumuar gjithçka e kudo kanë pësuar edhe intoksikacione ushqimore.
Mjekja thotë se të gjitha sëmundshmëritë janë menaxhuar në kohë pasi prindërit vendosin shpejt kontakt me mjekun dhe se temperatura që shfaqet tek fëmijët nuk lë shumë vend për vendimmarrje personale nga ana e prindërve.
Mjekët apelojnë për higjienë ushqimore dhe mbajtje të fëmijëve larg ushqimeve të gatshme.