Studimi është realizuar nga Instituti Global i Sigurisë së Fëmijëve Childlight, pranë Universitetit të Edinburgut, me pjesëmarrjen e një ekipi ndërkombëtar kërkuesish.

Sipas të dhënave të publikuara, materialet e krijuara me inteligjencën artificiale dhe të raportuara nga kompanitë amerikane në Qendrën Kombëtare për Fëmijët e Zhdukur dhe të Shfrytëzuar janë rritur nga rreth 4,700 raste në vitin 2023 në më shumë se 400 mijë në vitin 2025.

Deepfake dhe aplikacionet që krijojnë imazhe intime të rreme

Një pjesë e konsiderueshme e këtij materiali përfshin të ashtuquajturat “deepfake”, të krijuara përmes aplikacioneve që manipulojnë imazhet dhe videot. Këto mjete mundësojnë vendosjen e fytyrës ose trupit të një fëmije real në materiale me përmbajtje seksuale, brenda pak sekondash.

Edhe pse imazhet janë të manipuluara dhe nuk paraqesin ngjarje reale, studiuesit paralajmërojnë se pasojat për fëmijët janë konkrete dhe mund të jenë shkatërruese.

Materialet e tilla mund të përdoren për shantazh, zhvatje parash ose për të detyruar të miturit të dërgojnë fotografi dhe video reale me përmbajtje intime. Fenomeni nuk prek vetëm fëmijët e zakonshëm, por mund të përfshijë edhe persona të famshëm dhe familjet e tyre.

Studimi ngre shqetësime edhe për përmasat më të gjera të abuzimit seksual të lehtësuar nga teknologjia. Sipas vlerësimeve të studiuesve, më shumë se 300 milionë fëmijë në mbarë botën përjetojnë të paktën një formë të këtij shfrytëzimi.

Gjithashtu, vlerësohet se një në katër fëmijë mund të përjetojë një formë abuzimi përpara se të mbushë 18 vjeç.

Pavarësisht përmasave të problemit, studiuesit theksojnë se mungesa e të dhënave të plota nga qeveritë e vendeve të ndryshme po pengon hartimin e politikave efektive për parandalimin dhe mbrojtjen e të miturve.

Nga 103 vendet e analizuara në tre rajone të botës, vetëm 22 prej tyre kishin të dhëna gjithëpërfshirëse për abuzimin ndaj fëmijëve, si në internet, ashtu edhe jashtë tij.

Sipas Institutit Childlight, veçanërisht të nën-përfaqësuar në statistikat publike janë fëmijët me aftësi të kufizuara, fëmijët indigjenë, migrantët, ata që janë nën kujdesin e shërbimeve sociale, fëmijët shumë të vegjël dhe ata që përjetojnë abuzim nga anëtarët e familjes.

Studiuesit paralajmërojnë se shfrytëzimi seksual i fëmijëve përmes teknologjisë përbën një problem serioz të shëndetit publik, i cili mund të parandalohet përmes mbrojtjes më të mirë, monitorimit të platformave digjitale dhe ndërhyrjes së institucioneve.