Dita e parë e rrugës së pafund

Pak orë para nisjes së vitit të ri akademik, Lira Gjika ka një këshillë për prindërit që çojnë fëmijët në klasën e parë. Një kërkesë e thjeshtë në dukje, por që për fëmijën paska kaq shumë rëndësi.

“Prindër, ju, që do të dërgoni fëmijën për herë të parë në shkollë, mbajani ju çantën. Të paktën ta lehtësoni nga një peshë, që mund të ndahet, pasi “peshën” më të madhe e ka në veten e tij dhe atë, duhet ta mbajë vetë. Tregojini, që frika është në fillim. Tregojini se po të kishte dëgjuar frikën, ai edhe sot nuk do të ecte. Por përkundrazi, besoi dëshirën e tij për të ecur si mami dhe babi. Ai apo ajo, lëvizi fillimisht duke u dridhur, duke u mbajtur, madje edhe duke u ulur e mos vazhduar më. Mirëpo, një gjë brënda vetes e ngrinte prap dhe vazhdonte duke qeshur, po dhe duke qarë kur rrëzohej. E megjithatë nuk u tremb, u ngrit dhe vazhdoi. Ajo që ishte më e bukura edhe pse qante e i dhimbnin këmbët e duart, prap ngrihej, qeshte dhe ecte edhe më i sigurt, edhe më i mahnitur me veten e tij dhe nuk ndalej më. Po kështu do t`i ndodhë edhe në shkollën. Shpesh do të lodhet, do ndihet i pazoti, por do të vazhdojë, sepse mahnitja ka zënë vend brenda vetes së tij dhe e nxit të vazhdojë. E nxit të vazhdojë të zbulojë universe të rinj, si brenda vetes ashtu dhe përreth tij, por edhe të rizbulojë atë “gjënë” që e njeh, në një mënyrë tjetër. Shkolla është “dera e hyrjes e rrugës pa fund të mundësisë për të ditur”. Prindër! Thuajini këto fjalë fëmijëve tuaj, pasi kanë shumë nevojë për të pasur një mbështetje. Dhe mbështetje më të mirë se fjala e prindit nuk ka”, thotë Lira Gjika.

Dita e parë e rrugës së pafund

 

Share With:
Translate »
123 Views