“Nuk e kisha menduar kurrë të keqen”, ministrja Elva Margariti flet për herë të parë për humbjen e bashkëshortit
Ajo mban postin e ministres së Kulturës që prej janarit të 2019-s, vit në të cilin u shfaq për herë të parë në skenën politike shqiptare, por për jetën e Elva Margaritit dimë shumë pak. Megjithatë së fundmi, 42-vjeçarja ka thyer paksa rregullat e privatësisë dhe ka folur për herë të parë për fëmijërinë, familjen, shkollimin në Itali, martesën, humbjen e njeriut të zemrës.
Në një intervistë për “Jo Vetëm Modë”, Elva Margariti kujtoi momentin e njohjes me bashkëshortin: “Ne jemi njohur që në Tiranë në fakt, megjithëse vërtetë kemi filluar të frekuentoheshim kur kemi shkuar në Itali. Ai ishte kushëriri i shoqes time të ngushtë. Ishte një gjë rastësore që erdhi pastaj me kohën, por ndërkohë ishim njohur që më përpara me familjet”.
Margariti zbuloi se ajo dhe bashkëshorti i saj i thanë “Po” njëri-tjetrit heshturazi, me lindjen e vajzës së tyre dhe bënë një celebrim kur vajza ishte 3 vjeçe. Madje, atë moment, ajo e ruan ende sot në kujtesën e saj sa herë sheh ndërtesën e gjendjes civile.
Biseda
Pyetje: I bëtë të gjitha me etapa, i dogjët?
Elva Margariti: I dogjëm të gjitha.
Pyetje: Edhe shaminë?
Elva Margariti: Jo, jo dogjëm etapat, shaminë nuk e dogjëm asnjëherë. Unë nuk jam martuar me dasmë të vërtetë, me dasmë shqiptare.
Pyetje: Je penduar që s’ke veshur fustanin e bardhë?
Elva Margariti: Jo, them që do ketë pasur ndonjë arsye sepse nuk e kam përfytyruar ndonjëherë veten me fustan të bardhë.
Pyetje: Asnjëherë?
Elva Margariti: Jo, e di sa herë ia thoja edhe shoqeve të mia këtë gjë, habiteshin, por s’e kam menduar ndonjëherë se cili mund të ishte modeli i fustanit të bardhë që mund të më shkonte. Përveç vendit që gjithmonë thoshim që nëse një ditë do të bëjmë një festë për të celebruar dashurinë me njerëzit që duam, duhet të ishte në një anije dhe në një udhëtim.
Bashkëshorti i ministres së Kulturës u nda nga jeta para kohe, në moshën 49-vjeçare pas një beteje me një sëmundje të rëndë, për të cilën Margariti shprehet se nuk e ka menduar asnjëherë të keqen.
“Ishte një periudhë e gjatë sfide dhe ishte po njësoj një luftë nga njëra anë me një sëmundje, pastaj edhe një e përditshme me punën, domethënë ishin shumë gjëra bashkë. Në njëfarë mënyre, sepse ma pyesin këtë, si ishte të vazhdoje punën? Mendoj që fillon bëhesh më konkret dhe kupton cilat janë vështirësitë e vërteta dhe vështirësitë e mëdha të punës fillon bëhesh më i ftohtë për të thënë që kjo nuk është jetike, vërtet është situatë e vështirë në punë, por nuk është jetike, problemet janë të tjerat. Gjithmonë duhet të gjesh një ekuilibër midis gjithë gjërave që shkojnë përpara dhe familjes që jeton në këtë vuajtje.”-rrëfeu ajo.
