Anna Gjebrea publikon këngën e re “Just Dance”
Ajo ka pak vite që është futur seriozisht në tregun muzikor, është vetëm 13 vjeçe, por nga ana tjetër mund të themi se ka lindur në skenë, kjo për faktin se babai i saj është një ndër figurat më të dashura të ekranit tonë, Ardit Gjebrea. Ai është këngëtar, tekstshkrues, producent, moderator shumë i suksesshëm dhe duket se në gjurmët e tij po ecën Anna.
Anna Gjebrea ishte e ftuar këtë të enjte në emisionin “Rudina” në Tv Klan për të prezantuar këngën e saj të tretë, “Just Dance”. Një këngë të cilën ajo e ka realizuar në bashkëpunim me artistë të huaj.
Kënga është ritmike dhe në përshtatje me moshën e Annës ndërsa videoklipi i saj i realizuar në disa nga vendet më të bukura të Tiranës, është plotë ngjyra. Mes detajeve se si e ka realizuar këtë klip, Anna ka treguar edhe se si e ka pritur babai i saj, Ardit Gjebrea këngën e saj të tretë.
Rudina Magjistari: Më trego pak në lidhje me këngën, sa kohë është dashur? Ti më the që nga Prilli kanë filluar të përgatiten xhirimet. Momenti kur ke mësuar këngën, cilat kanë qenë përshtypjet e Arditit, babit tënd kur të ka dëgjuar duke kënduar, më trego pak?
Anna Gjebrea: Babi edhe kur më vë një këngë nuk jep opinionin e tij dhe pret për timin. Thjesht më vë një këngë dhe thotë “më thuaj” dhe nuk reagon. Në qoftë se më pëlqen mua dhe në qoftë se i pëlqen edhe atij ashtu bëhet.
Rudina Magjistari: I pëlqeu kënga këtë herë?
Anna Gjebrea: Po.
Rudina Magjistari: Ka qenë i kënaqur edhe ai, se unë besoj duhet të jetë kritiku më i madh apo jo. Mendimi i tij besoj është i pari për çdo gjë.
Anna Gjebrea: Po.