Kabinetet dentare në shkolla, stomatologia: Interes i lartë nga fëmijët dhe prindërit

Ofrohet flurozim, silanim dhe mbushje të dhëmbëve të dëmtuar

Pranë disa shkollave 9-vjeçare të kryeqytetit këtë vit shkollor ka nisur programi i depistimit të shëndetit dhe kujdesit dentar për fëmijët e grupmoshës 6-14 vjeç, duke ngritur dhe kabinete të reja dentare.

Me formimin e kabineteve të reja, investim ky i Ministrisë së Shëndetësisë, interesimi i nxënësve është shumë i madh. E shohim çdo ditë nga depistimet që bëjmë nëpër klasa. Ofrohet shërbim profilaksi dhe mjekim. Profilaksia përfshin florizimin dhe silantet, mbulimi i dhëmbëve të shëndoshë dhe bëhet mjekimi i gradave të para dhe grave të dyta në kabinetin tonë”, ka thënë stomatologia në shkollën “Mihal Grameno”, Dorina Gegprifti.

Çdo nxënës që merr shërbim pranë kabinetit dentar të shkollës bëhet me konsensusin e prindërve. Sipas stomatologes Dorina Gegprifti interesi i është shumë I madh, sepse çdo shërbim është falas .

“180 fëmijë nga fillimi i shkollës dhe deri në momentin që flasim, por nuk janë 180 punime, do të thotë që janë më shumë, sepse një fëmijë merr florizim, silante, ndërkohë dhe mbushje, apo pastrim të dhëmbëve. Kështu që një fëmijë mund të ketë 3-4 ndërhyrje që i është bërë në gojë”, ka thënë stomatologia.

Stomatologia tha se për të patur dhëmbë të shëndetshëm kryesorja është higjiena e gojës dhe ushqimi.

“Kontrolli rutinë që duhet bërë te stomatologu një herë në 6 muaj. Domethënë ke, s’ke probleme, tek stomatologu duhet shkuar. E dyta është larja e dhëmbëve, një higjienë e gojës. Larja e dhëmbëve dy herë në ditë nga 3 minuta, patjetër dhe një ushqyerje e shëndetshme”, është shprehur Dorina Gegprifti.

Ky program falas për fëmijët, është duke u pilotuar fillimisht në 10 shkolla në Tiranë, për t’u shtrirë më pas në të gjithë vendin.

Share With:
Translate »
138 Views