“Ekspozimi i tepërt mund të shkaktojë aborte te gratë shtatzëna”, Esmaralda Thoma tregon rrezikun që vjen nga plastika
Mjekja toksikologe Esmeralda Thoma ishte e ftuar këtë të enjte në emisionin “Shije Shtëpie” në Tv Klan, për të treguar se si mund të zgjedhim lodrat më pak të dëmshme për fëmijët. Ajo ka treguar se prindërit duhet të përpiqen të gjejnë lodra druri apo silikoni për fëmijët e tyre dhe të shmangin lodrat plastike.
Mjekja ka shpjeguar se rreziku që mund të sjellin lodrat plastike është shumë i lartë e madje ajo tregon se edhe ekspozimi i tepërt i grave shtatzënë ndaj plastikës, mund të sjellë dëmtime serioze te foshnja.
Esmeralda Thoma: Njerëzit janë të interesuar se çfarë impakti akut ka lodra. Në fakt lodrat plastike nuk kanë një impakt akut të dukshëm me sy të e lirë të prindërve, por pasojat afat gjata që ato shkaktojnë janë shumë të rënda. Duhet thënë këtu se edhe nënat shtatzëna nëse ekspozohen ndaj kimikateve të ndryshme; unë e përmenda disa herë që jo vetëm lodrat janë plastike dhe kanë impakt te shëndeti jonë. Kështu që edhe nënat gjatë shtatzënisë nëse ekspozohen shumë shpesh dhe në doza të larta të plastikës, kjo plastikë kalon te bebja gjatë jetës intrauterine të tij duke shkaktuar probleme të ndryshme si për shembull lindje të parakohshme apo aborte spontane. Apo lindje të fëmijëve me zhvillime të theksuara të zhvillimit psikomotor të tyre. Duhet të kemi parasysh se lodrat janë të rrezikshme, veçanërisht pas moshës 6 muajshe kur fëmijët kanë tendencën të provojnë çdo gjë. Ideja është që në çdo rast nënat dhe prindërit të përpiqen që fëmijët të lozin me lodra prej druri, por këto lodra nuk duhet të kenë veshje sipërfaqësore plastike dhe me lodra silikoni.