Gjendet e gjallë pas 6 ditësh nën rrënoja gruaja shtatzënë
Këta punonjës të ekipeve të emergjencës në provincën Hatai të Turqisë, rrezikuan jetën teksa përpiqeshin të shpëtonin jetë. Siç duket edhe në këto filmime, një grumbull mbeturinash inerte u derdhën papritur mbi ta, teksa po përpiqeshin të nxirrnin një të mbijetuar nën rrënoja.
Pamjet dëshmojnë se sa i lartë është rreziku i shtimit të numrit të viktimave edhe pse kanë kaluar 6 ditë nga lëkundjet e fuqishme që shkatërruan zona të tëra të banuara, me një bilanc që teksa operacionet e kërkim – shpëtimit vijojnë, është thelluar në mbi 25 mijë të vdekur e mbi 80 mijë të plagosur.
E megjithatë, mrekullitë vijojnë të ndodhin. Pas 6 ditësh nën rrënoja, ekipet e emergjencës nxorrën të gjallë nga rrënojat në Gaziantep, një grua në muajin e 6-të të shtatzënisë së saj e po ashtu të bijën 6 vjeçare.
Në veri të Sirisë, një tjetër zonë e goditur rëndë nga lëkundjet e mëdha të tokës, nuk janë vetëm dëmet e tërmetit ato që vështirësojnë gjetjen e të mbijetuarve.
Mediat ndërkombëtare bëjnë të ditur se në zonat nën kontrollin e rebelëve, regjimi i Bashar Al Asadit nuk lejon dërgimin e ndihmave humanitare. Kombet e Bashkuara thonë se janë mbi 5.3 milionë njerëz që përllogariten të kenë mbetur të pastrehë.
Por qeveria e Asadit mesaduket po përpiqet të fitojë avantazh politik edhe në atë që konsiderohet katastrofa e shekullit.